Gjyqtari Avdirrahman Gashi do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për ndërprerjen e kësaj mase, merr vesh Gazeta Sinjali. Gashi, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, po hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” .
Gazeta Sinjali kishte raportuar më herët për arrestimin e tij, ndërsa më pas Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji .
Në vendimin për paraburgim, Gjykata kishte vlerësuar se ekziston rreziku që, në rast të lirimit, i dyshuari të mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke asgjësuar, fshehur, ndryshuar apo falsifikuar prova, si dhe duke ndikuar te dëshmitarët. Mbrojtja e Gashit më pas ka kërkuar ndërprerjen e paraburgimit, por kërkesa nuk është aprovuar nga Gjykata e Apelit.
Kësisoj, masa e paraburgimit ndaj gjyqtarit mbetet në fuqi, ndërsa procedurat hetimore ndaj tij janë në vazhdim. Shënim: Personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
