Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë, Michael Murphy, ka përmendur mundësinë që Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës të propozojë njohjen e Kosovës, teksa reagoi ndaj një artikulli që kërkon nga administrata e Donald Trumpit njohjen e pavarësisë së Republika Srpska.
Murphy reagoi ndaj një shkrimi të autorit izraelit Jose Lev Alvarez, të publikuar në “Washington Examiner” me titullin “Lëreni Bosnjën të shpërbëhet: Pse Donald Trump duhet ta njohë Republikën Serbe të pavarur”.
Ish-diplomati amerikan e cilësoi artikullin si jashtëzakonisht ekstrem dhe pretendoi se ai hyn në kuadër të përpjekjeve për të ndryshuar narrativën rreth Bosnjë dhe Hercegovinës në Washington. Duke komentuar me ironi idetë e paraqitura në artikull, Murphy tha se disa anëtarë të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës mund të propozonin që vendi ta njohë Kosovën.
“Disa anëtarë të Presidencës së B&H ndoshta mund të përpiqen të zbatojnë disa nga idetë e tij duke propozuar një vendim që B&H të njohë Kosovën”, ka deklaruar Murphy. Ai përmendi gjithashtu mundësinë që Bosnja dhe Hercegovina t’u ofrojë Shteteve të Bashkuara krijimin e një baze ushtarake, duke përmendur Tuzlën ose Brçkon si lokacione të mundshme.
Bosnja dhe Hercegovina aktualisht nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa për një vendim të tillë kërkohet pajtim brenda strukturave të saj shtetërore, ku përfaqësuesit politikë serbë kanë kundërshtuar vazhdimisht njohjen.
Në artikullin që nxiti reagimin e Murphy-t argumentohet se SHBA-ja duhet ta njohë pavarësinë e Republika Srpska, me pretendimin se serbët janë “të bllokuar në një shtet artificial”. Murphy i ka kundërshtuar këto pretendime, duke e cilësuar shkrimin si një prej analizave më ekstreme të publikuara së fundmi për Bosnjë dhe Hercegovinën. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
