Ushtruesja e dëtyrës së presidentes Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me vrasjen e 25-vjeçares në Malishevë. Haxhiu, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre.
“Organet e drejtësisë duhet ta zbardhin plotësisht këtë vrasje të rëndë dhe të veprojnë me gjithë përgjegjësinë që kërkon një rast i tillë”, ka shkruar ajo. Postimi i saj i plotë: Vrasja e 25-vjeçares, në javën e 34-të të shtatzënisë, na ka tronditur thellë. Shoqëria jonë nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre.
As familja dhe as martesa nuk mund të përdoren për ta fshehur apo arsyetuar dhunën. Kur një gruaje i rrezikohet jeta, kjo nuk është më çështje private. Është një çështje që na përket të gjithëve dhe përballë së cilës institucionet duhet të veprojnë pa vonesë.
Organet e drejtësisë duhet ta zbardhin plotësisht këtë vrasje të rëndë dhe të veprojnë me gjithë përgjegjësinë që kërkon një rast i tillë. Familjes së të ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta në këtë dhimbje të madhe.