Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar qeverisjen aktuale duke e akuzuar për keqpërdorime dhe menaxhim të dobët të institucioneve të vendit. Përmes një reagimi, Musliu ka përmendur disa çështje për të cilat ka hedhur akuza ndaj qeverisjes, duke përfshirë rezervat e grurit dhe librat shkollorë.
Ajo ka kritikuar edhe vendimin për “kursime” sa i përket tepihëve në sallën e Kuvendit të Kosovës. “Kanë vjedhur edhe në rezervat e grurit, kanë bërë keqpërdorime edhe me librat e fëmijëve të Kosovës, e tash po bëjnë ‘kursime’ te tepihat e sallës së Kuvendit?! Krejt shtetin e keni kthyer në improvizim e tash po mundoheni ta mbuloni marren me copa tepihu”, ka shkruar Musliu.
Tutje, deputetja e PDK-së ka thënë se kjo, sipas saj, paraqet mënyrën se si po qeveriset dhe menaxhohet vendi. “Gubana, kjo është fytyra e qeverisjes dhe menaxhimit tuaj me institucionet e vendit. Marrja, hajnia e keqpërdorimi nuk mbulohen me tepih”, ka shkruar ajo.
