Nëse në tavolinën e tualetit të gjyshes suaj kujtoni një kavanoz të vogël me pudër rozë dhe një sfungjer të madh, atëherë ndoshta do t’ju pëlqejë rikthimi më nostalgjik i momentit në botën e bukurisë: pudra për trupin. Dikur simbol i një luksi të së shkuarës, kjo pudër po rikthehet fuqishëm dhe TikTok duket se nuk ngopet me të.
Ideja është e thjeshtë: një pudër që ndihmon në përthithjen e lagështisë së tepërt, e lë lëkurën të butë dhe i jep asaj një aromë delikate. Para se deodorantët në formë spreji apo roll-on të bëheshin pjesë e pandashme e rutinës sonë, pudra e trupit përdorej për të krijuar ndjesinë e freskisë, sidomos gjatë ditëve të nxehta.
Sot, në epokën e body layering, ajo po rikthehet si një mënyrë tjetër për ta bërë aromën të zgjasë më shumë në lëkurë. Ndërsa shumë marka kanë rikthyer në treg pudrat e parfumosura, disa përdorues të TikTok-ut kanë nisur të krijojnë versionet e tyre personale, duke kombinuar aromat e preferuara.
Për këtë trend, zakonisht përdoret një enë e pastër dhe një pudër, pa aromë ose me një aromë shumë të lehtë. Më pas, në vend që parfumi apo vaji të hidhet direkt në pudër, përdoruesit e aplikojnë aromën në një pambuk dhe e vendosin mes shtresave të pudrës. Procesi mund të përsëritet me aroma të ndryshme, për të krijuar një kombinim më personal.
Disa shtojnë edhe pak shkëlqim për një efekt më “glow”. Në fund, ena mbyllet dhe tundet lehtë që aroma të përhapet. Megjithatë, kini kujdes me përzierjet dhe shmangni përdorimin e produkteve të papërshtatshme direkt në lëkurë, veçanërisht në zona të ndjeshme. Një gjë është e sigurt: disa trende të bukurisë nuk zhduken kurrë vërtet.
Ndonjëherë, thjesht presin disa dekada dhe një video në TikTok për t’u rikthyer sërish në modë.
