Irani njofton për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit

0%

Komanda e ushtrisë së Iranit tha se po mbyll Ngushticën e Hormuzit për kalim tregtar në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme izraelite në jug të Libanit.

Në deklaratën e 20 qershorit, të publikuar nga transmetuesi shtetëror iranian IRIB, komanda qendrore Khatam al-Anbiya njoftoi se vendimi ishte marrë në përgjigje të “mungesës së vullnetit të mirë dhe shkeljes së marrëveshjes nga Shtetet e Bashkuara” në zbatimin e nenit të parë të memorandumit të mirëkuptimit SHBA-Iran, si dhe nda j “shkeljes së vazhdueshme të armëpushimit në Libanin jugor nga Izraeli”.

Në deklaratë u përmend po ashtu prania e vazhdueshme të forcave izraelite në Libanin jugor, duke e përshkruar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit si “hapin e parë” të përgjigjes së Iranit ndaj asaj që e cilësoi si “shkelje të marrëveshjes nga armiku”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Komanda ushtarake paralajmëroi se masa të tjera për ta detyruar palën tjetër të përmbushë zotimet e saj do të vendosen në agjendë nëse vazhdon ajo që e quajti “agresion”. Duke folur për Fox News, nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se “nuk ka prova” që Irani e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit si përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit në Liban.

“Deri tani nuk kemi asnjë provë se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur ”, tha Vance, duke theksuar se trafiku detar dhe dërgesat e naftës po vazhdojnë.

Disa orë para këtij njoftimi, agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, publikoi një koment që i adresohej ministrit të Jashtëm Abbas Araqchi, në përgjigje të raportimeve se ai po udhëtonte drejt Zvicrës për t’u takuar me delegacionin amerikan.

Duke pasur parasysh luftimet në Liban, në këtë artikull u tha se “takimi me [Steve] Witkoffin nuk është i justifikuar” dhe se Hormuzi “duhet të mbyllet”. I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, raportohet se po udhëton drejt Zvicrës për t’u takuar me Araqchin, si pjesë e një procesi 60-ditor për të arritur një marrëveshje të përhershme që synon t’i japë fund luftës.

Vance tha se pret të udhëtojë edhe vetë në Zvicër për bisedimet. Nëse kjo ndodh, kryetari i Parlamentit iranian dhe kryenegociatori Mohammad Baqer Qalibaf gjithashtu ka gjasa të shkojë në Zvicër.

Sulmet izraelite në pjesë të ndryshme të Libanit më 20 qershor – vetëm disa orë pasi u shpall armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut – lanë të paktën 10 të vdekur, ndërsa vazhdimi i luftimeve ka hedhur dyshime mbi armëpushimin e shpallur. Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, është një grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo degën e tij politike. / REL

Burimi: Bota Sot