Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të ishte “nder” për deputetët e legjislaturës së 11-të që ish-presidenti Hashim Thaçi të zgjidhej sërish në këtë post. Që pothuajse gjashtë vjet, Thaçi gjendet në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai dhe ish-eprorët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po presin vendimin për këtë rast, që do të shpallet nga Trupi Gjykues më 16 shtator.
Në një deklarim për media nga ambientet e Kuvendit të Kosovës, Haradinaj, që në të kaluarën ka mbajtur postin e kryeministrit dhe ka qenë drejtues i Aleancës, tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon që ta zvarrisë procesin e formimit të institucioneve, pasi sipas tij, emra për çështjen e presidentit ka, duke propozuar emrin e Thaçit.
“Nëse do zgjidhje Kurti, regjimi i Kurtit, është në nderin e kësaj legjislature, por edhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi.
Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderin tonë si shqiptar, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake a politke, por për shkak të një kundërpërgjigje të armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe x opsione të tjera mos me mbajtur peng Kosovën” , tha Haradinaj.
Thaçi u zgjodh president i Kosovës më dhe dha dorëheqje nga posti më dhe u nis drejt Hagës, pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan aktakuzën ndaj tij dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Pikërisht kjo rrethanë e bën propozimin e Haradinajt edhe më të diskutueshëm, duke ngritur pyetjen nëse është e arsyeshme që emri i tij të vendoset në qendër të garës për president pa u ditur ende epilogu i procesit gjyqësor. A mund të jetë propozimi i Haradinajt një skenar real politik apo më shumë një mesazh elektoral dhe simbolik?
Dhe nëse Thaçi vendoset në qendër të procesit për zgjedhjen e presidentit, a rrezikon Kosova të futet në një tjetër ngërç institucional, në rast se vendimi i Hagës ndryshon rrethanat politike?
Halilaj: Para se të flasim për Thaçin president, duhet të mendojmë për stabilitetin institucional Avokati Gazmend Halilaj Avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për “Bota sot” vlerëson se propozimi për rikthimin e Hashim Thaçit në Presidencë duhet të trajtohet përtej emocioneve dhe simbolikës politike, sidomos për shkak të situatës së tij aktuale në Hagë.
“Propozimi i Ramush Haradinajt që Hashim Thaçi të rikthehet në krye të shtetit është një çështje që meriton të shihet përtej emocioneve dhe simbolikës politike. Nuk kam asgjë kundër figurës së Thaçit apo kontributit të tij në historinë e Kosovës, por pikërisht për shkak se bëhet fjalë për një figurë kaq të rëndësishme, vendime të tilla duhet të merren me shumë kujdes.
Sot Thaçi ndodhet ende në Hagë dhe më 16 shtator pritet vendimi për rastin ndaj tij dhe ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së.
Në këto rrethana, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: pse duhet të hidhet tani emri i tij për president, pa e ditur ende se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale?” Halilaj thekson se gjithçka mund të ndryshojë varësisht nga vendimi që pritet të merret më 16 shtator dhe paralajmëron për pasojat që mund të ketë një zgjedhje e tillë për institucionet e Kosovës.
“Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm, atëherë çdo diskutim për të ardhmen e tij politike mund të bëhet në një rrethanë krejt tjetër. Por nëse vendimi nuk është ai që pritet, çfarë ndodh me Kosovën dhe institucionet e saj? A do të hyjmë sërish në një ngërç të ri institucional? A do të bllokohet zgjedhja e presidentit dhe bashkë me të edhe funksionimi normal i shtetit?
Për mua, ky është problemi kryesor i propozimit të Haradinajt.” Sipas tij, Presidenca nuk duhet të shndërrohet në mjet për simbolikë politike apo në një “nder” për deputetët, por duhet të jetë pjesë e një zgjidhjeje që garanton stabilitetin e vendit. “Presidenti i Republikës nuk duhet të zgjidhet si ‘nder’ për deputetët dhe as si mesazh politik ndaj dikujt.
Presidenti duhet të jetë zgjedhje që i shërben stabilitetit të shtetit dhe funksionimit të institucioneve. Nëse duam ta nderojmë Thaçin, këtë mund ta bëjmë duke respektuar kontributin e tij dhe duke i lënë drejtësisë të bëjë punën e vet.
Politika duhet të merret me ndërtimin e institucioneve, jo me krijimin e skenarëve që varen nga një vendim ende i panjohur.” Halilaj kërkon që interesi shtetëror të vendoset mbi kalkulimet politike.
“Prandaj, para se të flasim për Thaçin president, duhet të mendojmë për një pyetje shumë më të rëndësishme: a po zgjedhim atë që është më e mira për Kosovën, apo po rrezikojmë stabilitetin institucional për një kalkulim politik?
Në fund të fundit, shteti duhet të jetë mbi çdo individ dhe mbi çdo parti .” Haziri: Propozimi për Thaçin më shumë për konsum elektoral, Kosovës i duhet president konsensual Ndërkaq, analisti Nexhat Haziri e sheh propozimin e Haradinajt më shumë si një ide të lidhur me zhvillimet politike dhe elektorale, sesa si një zgjidhje konkrete për krizën institucionale.
Nexhat Haziri “Tani, kur vendi po shkon edhe një herë drejt një procesi të panevojshëm zgjedhor, na shfaqen edhe ide e propozime të tilla, të cilat janë më shumë për konsum elektoral, sesa ide reale që nxjerrin vendin nga ky ngërç politik e institucional, për shkak të një klase politike të papërgjegjshme dhe të pazotë për ta qeverisur dhe drejtuar shtetin.” Haziri për “Bota sot” thekson se procesi politik për formimin e institucioneve dhe ai gjyqësor në Hagë janë procese të ndara, pavarësisht se vendimi për rastin ndaj Thaçit pritet në shtator.
“Formimi i institucioneve të reja si rezultat i zgjedhjeve të 7 qershorit dhe procesi i Gjykatës Speciale janë procese të ndara, pavarësisht që epilogu i kësaj të fundit pritet të ndodhë në gjysmën e muajit shtator.
Shihet se kriza në këtë vend është bërë normale, as kujt nuk po i bëhet vonë për asgjë, përkundër që bota po vlon me ndryshime gjeostrategjike e politike, kur proceset integruese euro-atlantike janë të ngrira dhe partneriteti me aleatët asnjëherë nuk ka qenë më i zbehtë.” Sipas Hazirit, në vend të emrave që mund të thellojnë përplasjet politike, Kosovës i duhet një figurë që do të mund të bashkonte partitë dhe të garantonte funksionimin e institucioneve.
“Është koha e fundit që liderët partiakë t’i thërrasin mendjes që vendin ta nxjerrin nga kriza politike e institucionale, duke i dhënë një president konsensual, jopartiak, që balancon pushtetet në Kosovë.” Haziri shpreh skepticizëm se klasa aktuale politike do të arrijë një kompromis, por e konsideron atë të domosdoshëm për tejkalimin e krizës.
“Kompromisi është vlerë, tregon pjekuri politike e shtetërore, duke i dhënë fund bllokadës dhe inateve personale, edhe pse unë dyshoj shumë në këtë klasë politike”, p ërmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.
