Thatësira, nxehtësi dhe përmbytje, klima po godet bujqësinë në Kosovë

0%

Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur gjatë dekadës së fundit, ndërsa fermerët po përballen me periudha më të gjata të thatësisë, valë të të nxehtit dhe reshje të shkurtra, por intensive. Ndryshimet në temperaturë dhe në shpërndarjen e reshjeve po e bëjnë prodhimin bujqësor gjithnjë e më të paparashikueshëm.

Ekspertët thonë se fermerët dhe institucionet duhet të përshtaten me këto ndryshime, nga përzgjedhja e kulturave dhe varieteteve deri te mënyra dhe koha e mbjelljes. Për fermerët, ndryshimi i klimës nuk është vetëm çështje statistikash. Pasojat shihen drejtpërdrejt në ara dhe në të ardhurat e tyre.

“Puna e tre muajve u zhduk për gjysmë ore” Ilvi Jupa, 64-vjeçar, bujk nga Komuna e Rahovecit, kishte mbjellë rreth gjysmë hektari me pjepër, në fshatin Bërnjak. Stuhia dhe erërat e forta që nisën në këtë rajon më 21 korrik, si dhe reshjet e dendura të mëngjesit të 27 korrikut, ia përmbytën parcelën dhe ia shkatërruan të gjithë prodhimin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Tre muaj, i kemi shikuar për çdo ditë, se a po rriten [pjeprat], a po zhvillohen… Kur u bënë gati, për një gjysmë ore uji e fshiu krejt”, tregon Jupa për Radion Evropa e Lirë. “Ky produkt ka shkuar dëm, është prishur. Janë kalbur nga poshtë, të gjithë. Tash, asgjë… vera është e humbur”, thotë ai.

Jupa tregon se vetëm në parcelën me pjepër kishte investuar rreth 4.000 euro dhe synonte të fitonte rreth 7.000 euro. Për të zbutur humbjet, ai po përpiqet të shesë në mënyrë ambulante shalqirin që kishte mbjellë në një parcelë tjetër, e cila nuk u prek nga përmbytjet. Por, edhe ky prodhim u dëmtua pjesërisht nga temperaturat e larta gjatë korrikut.

Sipas Jupës, thatësia e shkaktuar nga temperaturat e larta, por edhe reshjet që vijnë me intensitet të madh, janë bërë më të shpeshta gjatë katër-pesë vjetëve të fundit. Ai thotë se në tre vjetët e fundit prodhimet bujqësore i janë dëmtuar vazhdimisht. “Klima po ndikon. Tash është më thatësirë. Por, kur bie shi, bie me më shumë hov, dhe i përfshin uji më shumë.

Më parë, kurrë nuk e ka përfshirë uji kështu”, thekson Jupa, i cili gjatë gjithë jetës është marrë me kultivimin e produkteve bujqësore. Dëmet në Rahovec Autoritetet lokale të Komunës së Rahovecit thonë se dëmet e evidentuara nga kushtet klimatike gjatë vitit 2026 kanë qenë të mëdha.

Behar Thaqi, drejtues i Drejtorisë për Bujqësi në këtë komunë, thotë se që nga fillimi i janarit, reshjet e shumta kanë përmbysur arat e fermerëve dhe kanë dëmtuar të mbjellat. Specat, shalqiri, pjepri dhe rrushi, që ishin në fazën e pjekjes, në shumë hektarë u shkatërruan nga përmbytjet, sipas tij. Dëmet e shkaktuara ende janë duke u përllogaritur nga komisionet komunale.

“Sipas vlerësimit të komisionit komunal, kanë qenë rreth 167 mijë euro, vetëm te fermerët”, pohon Thaqi për Radion Evropa e Lirë. Erërat e forta të 21 korrikut dëmtuan dhjetëra hektarë vreshta. “Ka pasur vreshta të kultivuara tash e 40 vjet. Janë rrëzuar”, thotë Thaqi, duke treguar se dëmet u shtuan edhe më 27 korrik, pas reshjeve të dendura dhe me intensitet të madh.

Sipas tij, ndikimi i ndryshimeve klimatike po bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe, nëse fermerët nuk marrin ndihmë dhe udhëzime nga shteti, mund të ndryshojë edhe struktura e kulturave që kultivohen në këtë komunë. “Atëherë do të ndryshojë harta e kulturave bujqësore në Rahovec”, thotë ai.

Ndryshimi i temperaturave, reshjeve dhe periudhave të vegjetacionit mund të ndikojë në përshtatshmërinë e kulturave në zona të caktuara të Kosovës. Temperaturat shumë të ulëta në pranverë , temperaturat e larta dhe thatësira gjatë verës, si dhe reshjet e dendura, në vitet e fundit kanë shkaktuar dëme në zona të ndryshme të Kosovës.

Temperaturat po rriten Matjet nga viti 2016 deri më 2025 në gjashtë stacione meteorologjike – Ferizaj, Mitrovicë e Jugut, Prishtinë, Junik, Prizren dhe Pejë – tregojnë një rritje mesatare të temperaturës prej 0.55 gradë Celsius.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperatura mesatare vjetore në Kosovë ishte 11.87 gradë Celsius në vitin 2016, ndërsa në vitin 2025 ishte 12.42 gradë. Brenda kësaj dekade, viti më i ftohtë ishte 2016, ndërsa më i ngrohti ishte 2024, me temperaturë mesatare prej 13.18 gradësh.

Besim Aliu, zyrtar për meteorologji në IHMK, thotë për Radion Evropa e Lirë se matjet në gjashtë stacionet meteorologjike tregojnë rritje të ndryshme në rajone të ndryshme të Kosovës. Sipas tij, gjatë kësaj dekade temperatura mesatare është rritur për 1.06 gradë në Ferizaj, 0.90 gradë në Mitrovicën e Jugut dhe 0.89 gradë në Prishtinë.

Në Junik, Prizren dhe Pejë janë shënuar “rritje më të vogla dhe jo statistikisht të sigurta, për shkak se variojnë vit për vit”. “Në përgjithësi, mesatarja ka lëvizur diku midis gjysmë grade dhe një gradë brenda kësaj dekade. Kjo është në linjë me atë që vërehet edhe në rajonin e Ballkanit, dhe në Evropën Juglindore në përgjithësi”, thekson Aliu./ Radio Evropa e Lirë

Burimi: Telegrafi