Policia në Ferizaj ka asistuar sot, më , zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe ata të Inspektoratit të Pyjeve, në kuadër të aktivitetit të përbashkët: “Patrullim dhe kontroll i përbashkët mobil APK – Polici – Inspektorati i Pyjeve”.
Sipas njoftimit, gjatë patrullimit dhe kontrollit në tregun javor në fshatin Dardani të Ferizajt, janë identifikuar gjashtë mjete bujqësore (traktorë me rimorkio), të cilat transportonin masë drusore pa poseduar dokumentacionin përkatës.
“Me asistimin dhe përcjelljen e zyrtarëve policorë, mjetet janë dërguar në Agjencinë e Pyjeve në Ferizaj, ku është bërë matja dhe pranimi i masës drusore të konfiskuar”- thuhet në njoftim.
Ndërsa është bërë e ditur se për procedurat e mëtejshme janë angazhuar zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pyjeve, të cilët kanë përpiluar procesverbalet përkatëse të inspektimit lidhur me masën drusore të konfiskuar.
Tutje në njoftim thuhet se Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në ofrimin e asistencës dhe bashkëpunimit me institucionet kompetente, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprimtarive të kundërligjshme, përfshirë keqpërdorimin dhe prerjen e paligjshme të pyjeve.
