Vdekja e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Altin Kryeziu, ka sjellë reagime të shumta nga figura politike, të cilët kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe kolegët e tij.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Kryeziut, duke theksuar se ai ishte nga Bubaveci i Malishevës dhe se humbi jetën pas plagëve të marra në aksidentin e ndodhur gjatë kryerjes së detyrës. “Dhimbja për Altinin na bashkon të gjithëve. Kujtimi dhe respekti për shërbimin e tij do të jenë të përjetshëm”, ka shkruar Gjini.
Edhe Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar për vdekjen e policit të ri. Ajo ka thënë se Kryeziu humbi jetën në krye të detyrës, duke e cilësuar rastin si humbje të rëndë për familjen, kolegët dhe Policinë e Kosovës. “Një jetë e re e këputur shumë herët.
Një djalë që kishte zgjedhur t’i shërbente vendit dhe qytetarëve të tij, iku pikërisht duke e kryer detyrën që kishte marrë përsipër me nder”, ka shkruar Çitaku. Në fund, ajo i ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu dhe të gjithë atyre që e njohën policin e ndjerë. “Pusho në paqe, Altin.
Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjes dhe të gjithë atyre që e deshën dhe e njohën”, ka përfunduar Çitaku. Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e 16 gushtit, ku përveç zyrtarit policor, të lënduar kanë qenë edhe katër persona të tjerë. Në aksident ishin të përfshirë katër automjete.
