Një grua shtatzënë është plagosur me thikë në fytyrë, krahë dhe duar në Houston të Teksasit, ndërsa për rastin është arrestuar një 19-vjeçare që dyshohet se është ish-partnerja e të dashurit të viktimës. Sipas mediave lokale amerikane, Carrieale Williams u arrestua më 20 gusht, pasi Policia u thirr në një banesë në Dona Lane pas raportimit për një person në rrezik.
Dokumentet policore tregojnë se viktima ishte ftuar në banesë për t’u takuar me Williams. Gjatë takimit, 19-vjeçarja dyshohet se kishte një thikë, të cilën tentoi ta fshihte. Kur gruaja shtatzënë tentoi t’ia merrte thikën, Williams dyshohet se e goditi në fytyrë dhe e plagosi edhe në krahë e duar.
Viktima u dërgua në spital, ndërsa lëndimet e saj nuk raportohet se ishin kërcënuese për jetën. Hetuesit kanë bërë të ditur se dy gratë njiheshin përmes kishës, ndërsa dokumentet gjyqësore tregojnë se viktima ishte në lidhje me ish-partnerin e 19-vjeçares. Motivi i sulmit ende nuk është bërë publik.
Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur se Williams kishte pasur edhe më herët një akuzë për sulm ndaj një tjetër gruaje shtatzënë, e cila raportohet se ishte motra e saj. Ajo çështje ishte pushuar më vonë. Një tjetër detaj i bërë publik është se edhe vetë Williams dyshohet se ishte shtatzënë në kohën e sulmit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
