Evropa po përballet me një valë të motit ekstrem, me zjarre të mëdha, përmbytje dhe stuhi që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe kanë detyruar mijëra njerëz të largohen nga banesat e tyre. Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Spanja dhe Polonia janë ndër vendet më të prekura.
Në Serbi, Bashkimi Evropian ka dërguar helikopterë dhe ekipe zjarrfikësish për të ndihmuar në luftimin e një zjarri masiv që ka përfshirë më shumë se 1,600 hektarë bimësi në rezervatin natyror Deliblatska Peshçara, rreth 60 kilometra në lindje të Beogradit.
Operacioni po mbështetet gjithashtu nga një aeroplan rus Ilyushin Il-76, i pajisur për shuarjen e zjarreve, si dhe nga disa helikopterë të ushtrisë serbe, transmeton Telegrafi. “Situata është jashtëzakonisht e vështirë”, deklaroi ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, duke bërë të ditur se rreth 400 persona angazhohen çdo ditë në operacionin për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, një tjetër zjarr i madh shpërtheu të shtunën në zonën kufitare mes Bosnjës dhe Kroacisë. Policia boshnjake u detyrua të mbyllë përkohësisht rrugën kryesore që lidh Trebinjen me Dubrovnikun, duke detyruar mijëra turistë të ndryshojnë planet e tyre të udhëtimit. Disa fshatra pranë qytetit të vogël Ivanica u evakuuan pasi flakët iu afruan banesave.
Zjarrfikësit raportuan gjithashtu se disa kafshë shtëpiake dhe bagëti u përfshinë nga zjarri. Në operacion u angazhuan edhe zjarrfikës nga Dubrovniku, ndërsa helikopterët po ndihmojnë ekipet në terren. Zjarri është përhapur në një zonë me diametër prej më shumë se 16 kilometrash, në terren të vështirë për t’u aksesuar.
Temperaturat e larta dhe erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa rajoni i Trebinjes nuk ka pasur reshje për muaj të tërë. Në Spanjë, fundjava ka sjellë një kombinim të pazakontë të kushteve ekstreme. Në Tarragona, reshjet e dendura shkaktuan përmbytje, duke lënë të paktën 11 persona të lënduar dhe duke ndërprerë qarkullimin në disa rrugë dhe linja hekurudhore.
Në disa zona u regjistruan më shumë se 145 milimetra reshje. Ndërkohë, në lindje dhe verilindje të vendit priten stuhi të tjera të fuqishme, ndërsa një sistem i pazakontë atmosferik nga Atlantiku po sjell reshje të dendura edhe në Galicia. Në rajonin e Valencias, zjarrfikësit vazhduan luftën me një zjarr të madh në Segorbe, i cili shpërtheu pas një goditjeje rrufeje.
Ndryshimi i drejtimit të erës bëri që flakët të përhapen me shpejtësi, duke i detyruar autoritetet të ngrinin nivelin e emergjencës në Nivelin 2. Më shumë se 1,000 banorë të Gatovës u evakuuan nga frika se zjarri mund të arrinte në zonat e banuara.
Pas ndërhyrjes së ekipeve tokësore dhe mjeteve ajrore, autoritetet arritën ta stabilizonin situatën, pasi zjarri kishte përfshirë rreth 630 hektarë. Kjo situatë vjen vetëm pak ditë pasi temperaturat në Spanjë arritën deri në 44°C. Edhe Polonia është përfshirë nga moti i keq.
Që nga e premtja, stuhitë kanë shkaktuar probleme në shumë pjesë të vendit, ndërsa zjarrfikësit janë përfshirë në më shumë se 6,500 incidente. Për shkak të përmbytjeve dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike, autoritetet u detyruan të evakuonin për masa paraprake 12 kampe skautësh.
Deri tani nuk janë raportuar viktima apo persona të lënduar, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë të monitorojnë situatën. Për të dielën, parashikohen stuhi të tjera në veri të Polonisë. Autoritetet meteorologjike kanë lëshuar paralajmërime të verdha për disa zona, ku mund të bien deri në 30 litra shi për metër katror, ndërsa erërat mund të arrijnë shpejtësi deri në 70 kilometra në orë.
Nuk përjashtohet as breshëri. Megjithatë, në pjesën tjetër të Polonisë kushtet atmosferike pritet të përmirësohen ndjeshëm. Nga zjarret shkatërruese në Ballkan, te përmbytjet në Spanjë dhe stuhitë në Poloni, moti ekstrem po vë në provë shërbimet e emergjencës në të gjithë Evropën.
