Japonia ka një portier me ngjyrë – Zion Suzuki është një ‘hafu’ dhe pamja e tij e ka bërë atë një objektiv gjatë gjithë jetës së tij

0%

Portieri i kombëtares së Japonisë, Zion Suzuki, është një nga figurat më të veçanta të futbollit japonez. 23-vjeçari, i cili aktivizohet te Parma, ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga një baba ganez dhe një nënë japoneze, por që në moshë të vogël u shpërngul në Japoni, ku u rrit, u shkollua dhe nisi karrierën e tij në futboll.

Suzuki konsiderohet një “hafu”, term japonez që përdoret për personat me prejardhje të përzier, zakonisht me një prind japonez dhe një prind të huaj. Fjala vjen nga anglishtja “half” dhe përdoret gjerësisht në Japoni që nga vitet 1970.

Megjithatë, përdorimi i këtij termi vazhdon të ngjallë debat, pasi edhe njerëzit e lindur dhe të rritur tërësisht në Japoni shpesh identifikohen si “hafu” vetëm për shkak të origjinës së tyre familjare. Vetë Suzuki ka treguar se që në fëmijëri është përballur me komente diskriminuese për shkak të pamjes së tij. Megjithatë, ai vendosi ta shndërrojë këtë veçanti në forcë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Nëse dallohesh nga të tjerët, atëherë bëj diçka të mirë dhe dallo në mënyrën e duhur. Kështu njerëzit do të të kujtojnë për atë që je si person”, ka thënë portieri japonez. Kjo filozofi reflektohet edhe në sjelljen e tij të përditshme. Te Parma, bashkëlojtarët kanë vënë re se pas ndeshjeve ai shpesh pastron në heshtje dhomat e zhveshjes, duke dhënë shembull edhe për të tjerët.

Për Suzukin, qëndrueshmëria dhe besimi në vetvete janë vlera themelore. “Kur njerëzit më thonë se kam karakter të fortë, për mua është komplimenti më i madh”, është shprehur ai. Gjatë karrierës së tij, Suzuki është përballur disa herë me racizëm. Rasti më i rëndë ndodhi gjatë Kupës së Azisë 2024.

Pas një gabimi në ndeshjen ndaj Vietnamit, ai u bë objekt i një vale të madhe komentesh urrejtjeje në rrjetet sociale, ku kritikat sportive shpejt u shndërruan në sulme raciste për shkak të origjinës së tij afro-japoneze. Situata u përsërit edhe pas ndeshjes kundër Irakut, kur një tjetër gabim i tij solli një valë edhe më të madhe fyerjesh dhe mesazhesh urrejtjeje.

Rruga e Suzukit drejt futbollit nisi pothuajse rastësisht. Ai shoqëronte shpesh nënën e tij në ndeshjet e vëllait të madh dhe kalonte kohën pranë portës me dorezat e portierit në duar. Një ditë, trajneri vendosi ta përfshinte edhe atë në stërvitje dhe aty filloi gjithçka.

Gjatë viteve të formimit te Urawa Reds, zhvillimi i tij fizik ishte aq i shpejtë sa klubi vendosi t’i kufizonte ngarkesën stërvitore për një periudhë, në mënyrë që trupi i tij të zhvillohej normalisht. Strategjia dha rezultat, pasi sot Suzuki është një portier imponues me gjatësi 190 centimetra dhe peshë rreth 100 kilogramë.

Sot, Suzuki nuk është vetëm një nga portierët më premtues të futbollit japonez, por edhe një simbol i një Japonie gjithnjë e më të larmishme, duke treguar se identiteti dhe origjina mund të jenë një forcë, jo një pengesë./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi