Dje, në ndeshjen e javës së 4-t të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut (PMFL) në futboll, e cila u zhvillua në Çair, Shkëndija e Haraçinës u mposht nga Arsimi me rezultat 0:2. Pas ndeshjes pati pakënaqësi nga vendasit lidhur me gjykimin. Konkretisht, skuadra nga Haraçina konsideron se është dëmtuar për shkak të një penalltie të padhënë.
Për këtë çështje, por edhe për gjithçka që ndodhi pas ndeshjes, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) doli me një komunikatë, të cilën po e përcjellim të plotë: “Në ndeshjen e javës së katërt të Ligës së Parë të Maqedonisë, e zhvilluar në stadiumin e Çairit ndërmjet ekipeve të FC Shkëndija Haraçinë dhe FC Arsimi, u evidentuan dy situata kyçe dhe veçanërisht sfiduese për vlerësimin e gjyqtarëve.
Në të dyja rastet, gjyqtari kryesor mori vendime plotësisht të sakta, të cilat, pas kontrolleve të kryera në përputhje me protokollin VAR dhe kriteret e përcaktuara për ndërhyrje, u konfirmuan në mënyrë të drejtë edhe nga gjyqtarët e VAR-it.
Në minutën e 43-të të ndeshjes, sulmuesi i skuadrës vendase me numrin 30-të, gjatë depërtimit në zonën e rreptësisë së skuadrës mysafire, ndodhet me shpinë nga porta kundërshtare dhe pa kontroll të plotë mbi topin.
Duke qenë i vetëdijshëm për praninë e mbrojtësit me numrin 16-të, sulmuesi e shfrytëzon kontaktin minimal, e ekzagjeron ndikimin e tij dhe përpiqet të fitojë një goditje dënimi nga pika e bardhë.
Gjyqtari kryesor ndodhet në afërsi të menjëhershme, ka kënd të qartë shikimi dhe kontroll të plotë mbi situatën, ndaj vlerëson në mënyrë të drejtë se kontakti nuk përbën faull për penallti dhe lejon vazhdimin e lojës.
Pas kontrollit të kryer nga VAR-i, në përputhje me protokollin dhe kriteret për ndërhyrje, u konstatua në mënyrë të drejtë se vendimi i gjyqtarit kryesor nuk përbën gabim të qartë dhe të dukshëm. Për këtë arsye, nuk kishte as bazë për ndërhyrje nga VAR-i dhe vendimi fillestar mbetet plotësisht i arsyeshëm.
Situata e dytë sfiduese ndodh në minutën e 82-të, në pjesën anësore të zonës së rreptësisë së skuadrës mysafire. Pas një topi të dërguar nga krahu përpara portës, mbrojtësi me numrin 16 përpiqet të bllokojë drejtimin e lëvizjes së topit me një lëvizje natyrale futbollistike të trupit.
Topi e godet dorën e lojtarit, e cila ndodhet në pozitë natyrale, pranë trupit dhe nuk e bën trupin e tij në mënyrë të panatyrshme më të madh. Lojtari nuk e lëviz dorën drejt topit dhe nuk ekziston ndonjë veprim që, sipas Rregullave të Lojës së Futbollit, do të konsiderohej si prekje e dënueshme me dorë.
Edhe në këtë situatë, gjyqtari kryesor vlerëson në mënyrë të drejtë se nuk ka faull për penallti. Pas kontrollit të kryer nga VAR-i, në përputhje me protokollin VAR dhe kriteret e përcaktuara për ndërhyrje, vendimi i tij u konfirmua në mënyrë të drejtë.
Federata e Futbollit të Maqedonisë thekson se këto dy situata gjyqësore, si dhe çdo vendim tjetër i marrë gjatë një ndeshjeje, nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si justifikim apo alibi për sjellje josportive, jokorrekte, vulgare, agresive apo çfarëdo sjelljeje tjetër të palejueshme.
Veçanërisht të papranueshme janë veprimet fizike të drejtuara ndaj lojtarëve kundërshtarë dhe përfaqësuesve të skuadrës mysafire, si dhe fyerjet, kërcënimet dhe sulmet verbale ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë. Në të njëjtën kohë, janë konstatuar edhe mangësi serioze organizative.
Një sjellje e tillë është në kundërshtim me rregulloret dhe propozicionet dhe nuk duhet dhe nuk do të tolerohet. Për të gjitha ngjarjet do të shqyrtohen raportet e zyrtarëve, pas së cilës organet kompetente të FFM-së do të veprojnë në mënyrë të rreptë, formale dhe plotësisht në përputhje me rregulloret në fuqi.
Përgjegjësia për një sjellje të tillë nuk mund të relativizohet dhe as t’u atribuohet gjyqtarëve përmes kontestimit të vendimeve të marra në mënyrë të drejtë. Çdo rezultat, përfshirë edhe çdo humbje, duhet të analizohet në mënyrë objektive dhe të pranohet në mënyrë sportive dhe dinjitoze.
Kjo pritet veçanërisht nga përfaqësuesit e klubeve dhe lojtarët, të cilët me sjelljen e tyre kanë përgjegjësi shtesë për të mbrojtur integritetin e garës dhe reputacionin e futbollit maqedonas. FFM ka qenë dhe do të mbetet plotësisht transparente sa i përket analizës profesionale dhe korrektësisë së vendimeve kyçe të gjyqtarëve.
Prandaj, i bëjmë një ftesë të hapur një përfaqësuesi të autorizuar të drejtimit të FC Shkëndija Haraçinë që të vizitojë qendrën VAR të FFM-së, ku do t’i prezantohen dhe shpjegohen profesionalisht të dyja situatat, bazuar në Rregullat e Lojës së Futbollit, protokollin VAR dhe kriteret zyrtare për vlerësimin dhe ndërhyrjen e gjyqtarëve.
Faktet dhe rregullat janë baza e vetme relevante për vlerësimi n e vendimeve të gjyqtarëve, dhe jo emocionet, presionet apo interpretimet subjektive të shkaktuara nga rezultati përfundimtar”.
