Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e zyrtarit policor Altin Kryeziu, i cili ishte aksidentuar para disa ditëve në Malishevë. Përmes një postimi në Facebook, Kastrati ka thënë se humbja e Altinit është një dhimbje e madhe për familjen dhe një humbje për Policinë e Kosovës.
“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjes së tij, duke ndarë dhimbjen dhe pikëllimin për këtë humbje të rëndë. I përjetshëm qoftë kujtimi për Altin Kryeziun” – ka shkruar Kastrati. Altin Kryeziu kishte mbetur i lënduar rëndë pasi ishte goditur me veturë me në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.
Kryeziu i cili ishte duke rregulluar trafikun është goditur nga një veturë, e cila ishte me shpejtësi të madhe. E njëjta sipas Policisë, kishte goditur edhe katër vetura të tjera dhe ka lënë të lënduar edhe pesë persona të tjerë.
