Një konflikt brenda një familjeje në Petrovë të Shtimes ka eskaluar në një incident serioz, ku një 23-vjeçar dyshohet se, pasi prindërit refuzuan t’i jepnin para, i kërcënoi se do t’ua digjte shtëpinë, mori një shishe me benzinë dhe më pas i sulmoi me gurë. Por ardhja e Policisë bëri që ai të largohej me vrap dhe të futej në pyll.
Sinjali mëson se i dyshuari është B.K. 23 vjeçar, ndërsa rastin në Polici e ka raportuar babai i tij, T. K. 49 vjeçar. Ngjarja ka ndodhur më 21 gusht, rreth orës , në shtëpinë e familjes në fshatin Petrovë. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka dyshohet se ka nisur pasi 23-vjeçari u ka kërkuar para prindërve. Ata nuk ia kanë dhënë.
Situata më pas dyshohet se ka dalë jashtë kontrollit. Sipas deklarimit të babait në Polici, djali i tij i është drejtuar me fjalët “do ta kalli shtëpinë”, e më pas ka marrë një shishe me benzinë. Shishen dyshohet se e ka hedhur në ballkonin ku po qëndronin prindërit e tij, ndërsa më pas ka nisur të gjuajë në drejtim të tyre me gurë. Në ndërkohë, Policia ishte nisur drejt shtëpisë.
Me të parë veturën policore, 23-vjeçari dyshohet se ka ikur nga vendi dhe është futur në pyll, në përpjekje për t’u larguar. Ikja megjithatë nuk e ka shpëtuar nga arrestimi. Policia ka arritur ta kapë B. K, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor në Shtime. Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar dhe, me vendim të tij, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet nga Policia në Shtime. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
