Një prezantues televiziv holandez ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness me një automjet tejet të pazakontë – një këpucë tradicionale holandeze prej druri, e pajisur me motor, e cila arriti shpejtësinë prej rreth 113 km/h.
Klaas van Kruistum dhe ekipi i emisionit të tij televiziv Klaas Can Do Everything vendosën të ndërtonin një automjet që do të mund të vendoste një rekord të ri botëror, transmeton Telegrafi. Për realizimin e projektit, ata kontaktuan britanikun Kevin Nicks, i cili në vitin 2025 kishte vendosur rekordin për strehën e kopshtit me motor më të shpejtë në botë.
Këtë herë, ekipi zgjodhi një simbol tradicional të Holandës si frymëzim: klompen, këpucën karakteristike prej druri. Për bazë të automjetit u përdor një kornizë e një karti elektrik, mbi të cilën u ndërtua pjesa e jashtme në formën e një këpuce gjigante.
Karroceria u realizua nga poliestër dhe fibra qelqi, duke i dhënë automjetit pamjen e një këpuce të vërtetë prej druri, por me përmasa shumë më të mëdha. Testi vendimtar u zhvillua më 4 prill në Aeroportin Ndërkombëtar të Bredas, në Bosschenhoofd të Holandës.
Pasi u ul në timon, Van Kruistum arriti ta çonte automjetin deri 112.5 kmh, duke e kthyer atë në këpucën me motor më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë. Shpejtësia ishte e mjaftueshme për t’i siguruar projektit rekordin Guinness për automjetin-këpucë prej druri me motor më të shpejtë në botë.
Një kombinim i pazakontë mes traditës holandeze dhe teknologjisë moderne, por që këtë herë përfundoi me një rekord botëror.
