Një tentativë për vjedhje në zemër të Prishtinës ka dështuar ende pa përfunduar. Një 20-vjeçar dyshohet se kishte hyrë në parkingun nëntokësor te Katedralja me synimin për të marrë bateritë e gjeneratorëve, por aty është pikasur dhe ndaluar nga punëtori i sigurimit.
Sinjali mëson se i dyshuari është Ardit Neziri , 20 vjeçar, i cili pas kapjes është marrë nga Policia dhe ka përfunduar në ndalim për 48 orë. Gjithçka ka ndodhur pak pas mesnatës së 23 gushtit, në Parking Center, në Sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Neziri dyshohet se ishte futur në hapësirat e parkingut dhe po tentonte të vidhte disa bateri të gjeneratorëve. Por tentativa është diktuar nga sigurimi. Punëtori që ndodhej në detyrë, Agim Islami, 49 vjeçar e ka pikasur 20-vjeçarin gjatë veprimit dhe ka ndërhyrë, duke e ndaluar para se tentativa për vjedhje të përfundonte.
Në rast është përfshirë më pas Policia, ndërsa Neziri është shoqëruar në stacion për procedurat e mëtejshme. Ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe në praninë e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Për rastin është vënë në dijeni Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë”.
Me vendim të Prokurorit, 20-vjeçari është ndaluar për 48 orë. Kështu, ajo që dyshohet se nisi si tentativë për t’u larguar nga parkingu me bateritë e gjeneratorëve, përfundoi me ndërhyrjen e sigurimit dhe dërgimin e të dyshuarit në Qendrën e Mbajtjes.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
