Një intervenim i Policisë, që fillimisht nisi pas një informacioni për dhunë në familje, ka marrë krejt tjetër drejtim mbrëmjen e së premtes në Prishtinë. Kur zyrtarët policorë mbërritën në banesën në rrugën “Hysni Gashi”, nuk gjetën elemente që, sipas të dhënave fillestare, do ta konfirmonin raportimin për dhunë në familje. Por gjatë veprimeve të mëtejshme, ata hasën në diçka tjetër.
Sinjali mëson se personi i përfshirë në rast është Kerim Kocaman , 24 vjeçar, shtetas i Turqisë. Ngjarja është regjistruar më 21 gusht, rreth orës , kur Policia ka pranuar informacionin për një rast të mundshëm të dhunës në familje dhe njësitë relevante janë nisur drejt adresës. Pas kontaktit me Kocamanin, policët kanë konstatuar se ai ndodhej i vetëm në banesë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, dyshimet fillestare për dhunë në familje nuk janë konfirmuar. 24-vjeçari dyshohet se po zhvillonte një bisedë telefonike me zë të lartë, çka kishte shkaktuar edhe alarmin fillestar. Por intervenimi nuk përfundoi aty. Gjatë kontrollit të banesës, Policia ka gjetur rreth 12 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Substanca është sekuestruar si provë materiale, ndërsa rasti ka kaluar në trajtim për dyshimin për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Një rrethanë tjetër ka ndikuar në procedurën e intervistimit.
Meqë Kocaman është shtetas turk dhe në atë moment nuk kishte përkthyes zyrtar në dispozicion, intervistimi i tij është lënë të zhvillohet më vonë, me sigurimin e përkthimit përkatës. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës penale.
Kocaman është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ndërsa rasti tashmë është në duart e njësive përkatëse hetimore. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
