Kombëtarja e Paraguait tregoi karakter të jashtëzakonshëm në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror. Pas humbjes së rëndë 4:1 ndaj SHBA-së në debutim, paraguajanët arritën të mposhtin favoriten Turqinë me rezultat 1:0. Paraguai realizoi golin e fitores pas vetëm 65 sekondash lojë dhe më pas u fokusua kryesisht në mbrojtje dhe kundërsulme.
Kjo strategji u bë edhe më e theksuar pasi Miguel Almiron u ndëshkua me karton të kuq në fund të pjesës së parë. Megjithatë, me disiplinë taktike dhe organizim të shkëlqyer, Paraguai i përballoi të gjitha sulmet e turqve, duke ruajtur avantazhin dhe duke u rikthyer fuqishëm në garën për kualifikim në fazën nokaut. Njëkohësisht, kjo humbje eliminoi Turqinë nga gara për vazhdimin e turneut.
Pas ndeshjes, trajneri i Paraguait, Gustavo Alfaro, nuk e fshehu krenarinë për paraqitjen e skuadrës së tij. “Ky takim ishte një sfidë emocionesh nga fillimi deri në fund. Asnjëherë nuk kam dyshuar te lojtarët e mi. Kaluam një javë shumë të vështirë, sepse humbja ndaj SHBA-së na goditi rëndë”, deklaroi Alfaro.
Tekniku argjentinas e cilësoi këtë sukses si një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij. “U fala mirënjohje lojtarëve në zhveshtore, sepse më dhuruan një nga netët më të bukura të karrierës sime si trajner”, tha ai. Megjithatë, paraguajanët nuk kanë shumë kohë për festë.
Përballja e radhës kundër Australia do të jetë vendimtare në luftën për vendin e dytë në grup dhe kualifikimin në fazën tjetër. “Tani duhet të rikuperohemi, sepse ajo që na pret do të jetë edhe më e vështirë. Paraguai ka rikthyer besimin, ndërsa lojtarët vetëbesimin. Nuk mund t’u kërkoj tifozëve të jenë racionalë në këto momente, por ne si ekip duhet të jemi.
Kjo fitore u takon futbollistëve. Përpara kemi një betejë të madhe kundër Australisë”.
