“Mjaft më me heshtje”, Sindikata e Re e KEK-ut kërkon përgjegjësi pas

0%

Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas vdekjes së një punëtori në vendin e punës, duke kritikuar ashpër menaxhmentin për, siç thuhet, mungesë të përgjegjësisë morale dhe masa të mjaftueshme për sigurinë e punëtorëve.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se humbja e një kolegu në vendin e punës është një tragjedi e madhe për të gjithë punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës. “Për 7 muaj të kemi 4 punëtorë të vdekur në vendin e punës dhe të mos ketë asnjë dorëheqje morale?”, ka shkruar Jashari.

Ai ka kritikuar disa drejtues dhe menaxherë, duke pretenduar se shqetësimi për postet dhe pagat po vendoset mbi sigurinë e punëtorëve. Sipas Jasharit, fondet e shpenzuara për këshilltarë të jashtëm dhe për derivate të automjeteve zyrtare pas orarit të punës, sipas tij, do të mund të përdoreshin për pajisje mbrojtëse dhe masa shtesë të sigurisë në vendin e punës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Paga dhe karrigia nuk mund të jenë më të rëndësishme se jeta e një punëtori”, ka deklaruar ai. Jashari ka theksuar se punëtorët kanë familje dhe se përgjegjësia kryesore e menaxhmentit duhet të jetë që ata të kthehen shëndoshë e gjallë në shtëpi.

Ai ka përshëndetur edhe menaxherët që, sipas tij, kanë dhënë dorëheqje kur kanë vlerësuar se nuk kanë pasur kushtet për të garantuar sigurinë e punëtorëve. “Bravo atyre menaxherëve që kanë dhënë dorëheqje, kur kanë parë se nuk kanë pasur kushtet për të garantuar punën dhe sigurinë e punëtorëve. Sot, të paktën, ata janë me faqe të bardhë”, ka shkruar Jashari.

Në fund, Sindikata e Re e KEK-ut ka kërkuar që siguria në vendin e punës të jetë prioriteti kryesor dhe jo vetëm pas rasteve tragjike. “Siguria në KEK duhet të jetë prioriteti numër një, jo vetëm pas një tragjedie, por çdo ditë që një punëtor hyn dhe del nga vendi i punës”, thuhet në reagim.

Burimi: Telegrafi