Një baba është qortuar nga policia pasi e la të birin në malin më të lartë të Japonisë për disa orë, duke i lënë vetëm një pije freskuese dhe një ushqim të lehtë. Djali shtatëvjeçar u gjet i ulur në një stol në malin Fuji, në kushte moti me mjegull dhe shi, në një pikë që ndodhet në një lartësi prej mbi 2.000 metrash, shkruan BBC.
Babai i tij, 48 vjeç, thuhet se i kishte thënë të “priste aty” pasi djali ishte ankuar se ishte i lodhur, dhe më pas kishte vazhduar ngjitjen me djalin tjetër, më të madh. Personeli i një strehe malore e gjeti fëmijën pranë stacionit të gjashtë të shtegut të ngjitjes drejt majës dhe njoftoi policinë.
Babai i tij u gjet midis stacionit të shtatë dhe atij të tetë të shtegut – një distancë që përshkohet në rreth tri orë ecje.
