Manchester City po has në vështirësi në përpjekjet për të transferuar mesfushorin e Lille, Ayyoub Bouaddi, gjatë afatit kalimtar të verës. Gazetari i njohur i “The Athletic”, David Ornstein, ka zbuluar se kampionët anglezë ende nuk kanë arritur të përmbushin kërkesat financiare të Lille për reprezentuesin maroken.
Bouaddi është përmendur si një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar Rodrin, i cili këtë verë u transferua te Barcelona. City ende larg kërkesës së Lille Duke folur për “TNT”, Ornstein tha se Manchester City ka bërë përpjekje serioze për ta realizuar marrëveshjen, por deri tani pa sukses. “Manchester City ende nuk ka arritur te shifra që kërkon Lille.
Sigurisht, kanë bërë një përpjekje të madhe dhe mund të arrijnë ta përfundojnë transferimin, por deri tani kjo nuk ka ndodhur”, deklaroi Ornstein. Kjo situatë e ka komplikuar ndjeshëm operacionin, ndërsa City mund të detyrohet të rrisë ofertën nëse dëshiron ta sigurojë Bouaddin para mbylljes së merkatos.
Enzo Fernandez mbetet alternativë serioze Ornstein foli edhe për interesimin e Manchester City për mesfushorin e Chelsea, Enzo Fernandez. Sipas tij, City e dëshiron seriozisht argjentinasin, por Chelsea nuk ka ndërmend të negociojë me çdo kusht.
“Ata e duan vërtet Enzo Fernandezin dhe një marrëveshje është e mundur, por Chelsea nuk do ta shesë nëse kushtet nuk janë të përshtatshme për klubin”, tha ai. Gazetari shtoi se afati i vendosur më herët nga Chelsea për një marrëveshje të mundshme tashmë ka kaluar, çka mund ta bëjë transferimin edhe më të shtrenjtë.
“Afati që ata kishin vendosur ka kaluar, prandaj nuk mendoj se çmimi tani do të jetë i njëjtë me atë që ishte para afatit”, shpjegoi Ornstein. Manchester City, kësisoj, vazhdon të kërkojë një mesfushor të nivelit të lartë, por si Bouaddi ashtu edhe Enzo Fernandez paraqesin negociata të vështira dhe potencialisht shumë të kushtueshme..
