Dolly Parton zbulon problemet shëndetësore: Ende po shërohem, por

0%

Dolly Parton po ndan një përditësim për gjendjen e saj shëndetësore, ndërsa paralelisht po përgatitet për hapjen e një muzeu të ri në Nashville, kushtuar jetës dhe karrierës së saj. Këngëtarja 80-vjeçare tregoi për People se kohët e fundit ka kaluar disa “periudha të vështira me shëndetin”, por theksoi se vazhdon të jetë e angazhuar në projekte të reja.

“Po përballem me disa probleme shëndetësore, të cilave thjesht nuk u kushtova vëmendje kur po kujdesesha për Carl-in” , tha Parton, duke iu referuar bashkëshortit të saj të ndjerë, Carl Thomas Dean, i cili vdiq në mars të vitit 2025, në moshën 82-vjeçare. Ajo kujtoi gjithashtu se nuk është hera e parë që përballet me probleme shëndetësore.

Në fillim të viteve ’80, këngëtarja thotë se kishte qëndruar për disa muaj jashtë aktivitetit për shkak të problemeve gjinekologjike. “Nuk është se s’kam kaluar periudha të vështira me shëndetin. Por mendoj se, duke qenë se jetojmë në një botë që funksionon 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, me rrjetet sociale, gjithçka zmadhohet në mënyra që nuk ndodhnin vite më parë”, u shpreh ajo.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Parton bëri edhe pak shaka me vëmendjen që merr në media. “Dikur bëja shaka se isha mbretëresha e tabloideve, por tani besoj se mund të them se jam mbretëresha e inteligjencës artificiale në rrjetet sociale!”, tha ajo. Megjithatë, pas humorit, këngëtarja shtoi se ende po rikuperohet.

“Seriozisht, edhe pse ende po shërohem, vazhdoj të punoj.” Për shkak të gjendjes së saj, mënyra se si ajo do të performojë në të ardhmen mund të jetë ndryshe. Parton tregoi se po bashkëpunon me kompani që krijojnë performanca me avatarë, një projekt që ndodhet ende në fazat e para të zhvillimit.

Përditësimi për shëndetin e saj vjen vetëm një javë pasi Parton u shfaq përmes një videoje në vend që të ishte fizikisht e pranishme në hapjen e atraksionit të ri në parkun e saj argëtues Dollywood, në Pigeon Forge të Tenesisë. Në video, këngëtarja e “Jolene” shfaqej me krahë fluture pas saj dhe tregoi se mjekët i kishin këshilluar të mos udhëtonte.

“Ju kam thënë edhe më parë, të gjithë fansave të mi, se kam pasur disa probleme të vogla shëndetësore dhe ndonjëherë më merret mendja dhe dehidratohem. Dhe jam e dehidratuar” , tha ajo më 14 gusht. Parton shtoi se mjeku i saj në Nashville i kishte thënë të mos udhëtonte atë javë. “Kur mjeku të thotë: ‘Nuk do të udhëtosh këtë javë’, atëherë nuk udhëton atë javë”, tha ajo me humor.

Pavarësisht problemeve shëndetësore, Parton nuk duket se ka ndërmend të ngadalësojë ritmin. Ajo ka njoftuar së fundmi edhe krijimin e Muzeut “Jeta me shumë ngjyra” në Nashville, i cili do t’u japë fansave mundësinë të njihen më nga afër me jetën, historinë dhe karrierën e saj. Sipas muzeut, bëhet fjalë për ekspozitën më të madhe kushtuar jetës së saj në botë.

Parton tregoi se ideja për muzeun lindi krejt rastësisht, pasi gjeti hapësirën që mendoi se ishte perfekte në qendër të Nashville-it. “Jam shumë krenare për këtë. E gjetëm këtë vend herët një mëngjes. E dija që doja të bëja diçka të veçantë në Nashville dhe, derisa pashë këtë ndërtesë, asgjë nuk më ishte dukur si zgjedhja e duhur”, tregoi ajo.

Burimi: Bota Sot