Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se projekti për Banimin Social Adekuat do të përfshijë 21 komuna të Kosovës, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 37 milionë eurosh.
Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Fitore Pacolli-Dalipi, dhe ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Andin Hoti, ka prezentuar projektin, përmes të cilit parashihet ndërtimi i 773 njësive të banimit.
Sipas Kurtit, komunat do të kenë rol të rëndësishëm në zbatimin e projektit, pasi përmes tyre do të zhvillohen procedurat e prokurimit dhe përzgjedhja e familjeve përfituese.
“Vlera e gjithmbarshme e projektit është rreth 37 milionë euro dhe shtrihet në 21 komuna, të cilat janë partnere të rëndësishme në zbatim, sepse nëpërmjet tyre kalojnë edhe procedurat e prokurimit, por edhe përzgjedhja e familjeve përfituese për 773 njësi banimi”- ka shkruar Kurti, tw shtunwn, mw .
Ai ka thënë se investimi synon përmirësimin e mirëqenies së familjeve dhe krijimin e kushteve më të mira për jetë. Sipas Kurtit, është duke u zbatuar edhe projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social, aktualisht në komunat e Pejës, Istogut, Podujevës dhe Gjilanit.
Ndërkaq, ministrja në detyrë Fitore Pacolli-Dalipi e ka cilësuar projektin si investimin më të madh publik në fushën e banimit social në Kosovë. Sipas saj, nga e hëna do të nisë nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit me komunat përfituese, pas së cilës pritet të nisë zbatimi i projektit.
“Me një vlerë prej 37 milionë euro, projekti do të zbatohet në 21 komuna dhe pritet të përfitojnë 773 familje. Nga e hëna do të nisim të nënshkruajmë memorandumet e bashkëpunimit me komunat përfituese dhe menjëherë do të fillojë së zbatuari projekti”, ka thënë Pacolli-Dalipi.
Ajo ka deklaruar se përmes këtij projekti synohet që mbështetja e shtetit të shkojë te familjet që kanë më së shumti nevojë. Në dhjetor të vitit 2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar memorandumet e mirëkuptimit për projektin e banimit social adekuat.
