José Mourinho do të nisë aventurën e tij të dytë në stolin e Real Madridit me disa probleme të rëndësishme në organikë. “Los Blancos” do të përballen me Espanyolin në ndeshjen e parë të LaLigës, por trajneri portugez nuk do të ketë në dispozicion gjashtë futbollistë për shkak të dëmtimeve.
Mourinho drejtoi seancën e fundit stërvitore përpara sfidës së parë zyrtare të këtij rikthimi në Madrid, por nuk mundi të llogariste lojtarë si Éder Militão, Rodrygo, Thiago Pitarch, Ferland Mendy, Raúl Asencio dhe Endrick. Të gjashtë lojtarët vijojnë procesin e rikuperimit dhe nuk do të udhëtojnë drejt Barcelonës.
Listës së mungesave i shtohet edhe Aurélien Tchouaméni, i cili është rikthyer në stërvitje me grupin, por ende nuk është gati për të luajtur. Mourinho konfirmoi se mesfushori francez nuk do të jetë pjesë e skuadrës për sfidën ndaj Espanyolit.
“Tchouaméni është mirë, por duhet të vazhdojë të punojë çdo ditë për të përshpejtuar procesin, sepse nuk është gati të luajë kundër Espanyolit”, deklaroi trajneri portugez. Në këto kushte, Mourinho është detyruar të kërkojë zgjidhje edhe te akademia e klubit. Mario Rivas, Alexis Ciria dhe Jorge Cestero janë bashkuar sërish me ekipin e parë dhe janë grumbulluar për debutimin në kampionat.
Kështu, Real Madridi do ta nisë sezonin larg kapacitetit të plotë, me disa prej lojtarëve kryesorë në infermieri dhe të tjerë ende në kërkim të formës optimale fizike. Për Mourinhon, rikthimi në LaLiga pas 13 vitesh do të jetë menjëherë një test i rëndësishëm.
Trajneri portugez duhet të gjejë zgjidhjet e duhura që në ndeshjen e parë, ndërsa të rinjtë e akademisë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbulimin e mungesave.
