Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbështetur propozimin e ish-komandantit të UÇK-së dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që Hashim Thaçi, pas kthimit në Kosovë, të marrë mandatin nga Kuvendi dhe të zgjidhet president i vendit.
Në një reagim, OVL e UÇK-së ka vlerësuar se ky propozim ka “peshë kombëtare dhe institucionale” dhe se i shërben frymës unifikuese në vend. Sipas organizatës, roli i Thaçit në luftën çlirimtare dhe përgjegjësitë e tij në proceset shtetformuese e shtetndërtuese të Kosovës paraqesin garanci për ecjen përpara të vendit në bashkëpunim me aleatët strategjikë.
“Institucionet relevante dhe forcat politike të Kosovës duhet ta shqyrtojnë seriozisht këtë propozim, përtej ndasive partiake”, thuhet në reagim. OVL e UÇK-së ka theksuar gjithashtu se kthimi i Thaçit duhet të pritet me dinjitet institucional dhe përmes zgjidhjeve të ligjshme, duke vlerësuar se Kosova nuk duhet të mbetet peng i vakumit institucional dhe rrethanave aktuale politike.
Sipas veteranëve, Kosova sot ka nevojë që interesi kombëtar, dinjiteti dhe siguria e shtetit të vendosen mbi ndasitë partiake, pa anashkaluar nderimin për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe shtetësinë e vendit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
