Një 57-vjeçar nga Kosova, i dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 3 vjet e 6 muaj burgim, është lokalizuar dhe arrestuar provizorisht në Durrës, me qëllim ekstradimi drejt Kosovës. Policia e Shtetit njofton se arrestimi i shtetasit me inicialet E.
Zh. është bërë në kuadër të operacionit policor të koduar “Wanted 38”, të finalizuar në lagjen nr. 13 në Durrës. 57-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Prishtinës e ka dënuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Kosovës.
Sipas Policisë, lokalizimi dhe arrestimi i tij u bë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe veprimeve të shpejta policore nga specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Policia bëri të ditur se Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe të Kosovës, vijon procedurat për ekstradimin e 57-vjeçarit.
Arrestimi provizor është kryer me qëllim të ekstradimit të tij në Kosovë, ku ndaj tij është dhënë dënimi prej 3 vjetësh e 6 muaj burgim.
