Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka cilësuar si të papranueshme deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me rastin e Nenad Rashkoviqit.
Sveçla ka thënë se Vuçiq po përpiqet ta përdorë këtë rast për të zhvendosur vëmendjen nga zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku janë zbuluar tri varreza masive dhe është konfiskuar një sasi e madhe armatimi.
“Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të presidentit Vuçiq, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat të cilat janë të tmerrshme”, tha Sveçla.
Sipas tij, Serbia duhet të bashkëpunojë në zbardhjen e krimeve të luftës dhe të hapë arkivat shtetërore për të dokumentuar ngjarjet e luftës në Kosovë. “Në vend se Aleksandar Vuçiq të premtojë bashkëpunim, të hapë arkivat e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ai mundohet që përmes retorikës së tij të devijojë thelbin e çështjes”, u shpreh ai.
Ndërkohë, duke folur për vetë rastin e Nenad Rashkoviqit, Sveçla bëri të ditur se Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet pas ankesës së pranuar. Ai tha se hetimi i IPK-së ka rezultuar deri tani me pezullimin e dy zyrtarëve policorë, bazuar në rekomandimet e Inspektoratit.
“Patjetër, në momentin që ne jemi njoftuar për këtë ankesë, Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e këtij rasti. Tashmë ju e dini se ky inspektorat ka rekomanduar dhe eprorët e policisë kanë realizuar pezullimin e dy zyrtarëve policorë”, deklaroi ministri.
Sveçla shtoi se hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe se pas përmbylljes së tyre, opinioni publik do të njoftohet për të gjeturat dhe masat eventuale ndaj zyrtarëve të përfshirë.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të merren me të dyja çështjet, ndërsa në fund i bëri thirrje Vuçiqit që të mos përdorë deklarata që, sipas tij, largojnë vëmendjen nga zbardhja e krimeve të luftës.
“Por është koha e fundit dhe Vuçiq duhet të jetë adresa e fundit që ai të ankohet, por duhet të veprojë në mënyrë që plagët e shumë familjeve të personave të zhdukur me dhunë të fillojnë të shërohen”, përfundoi Sveçla. Juristi Blerim Burjani ka folur rreth deklarimit të Sveçlës, duke thënë se është e qartë që Serbia mund të fshihet pas gjërave të tjera.
Blerim Burjani Sipas tij, Serbia nuk mund t’i ikë përgjegjësisë dhe as ta maskojë të vërtetën. “Situata është e qartë. Serbia vështirë se mund të fshihet pas gjërave të tjera. Pa dijeninë e Serbisë, nuk mund të ndodhte hyrja e gjithë këtij armatimi. Kjo është e qartë dhe e dukshme. Nuk ka kush tjetër ta furnizojë me armë veriun.
As nuk mund ta zhvendosë vëmendjen diku tjetër për varrezat masive. Përgjegjësisë nuk mund t’i ikë dhe as ta maskojë të vërtetën. E vërteta është se Serbia e di se çfarë ka bërë në Kosovë, si në veri, ashtu edhe gjatë luftës”, deklaron Burjani. Ai thotë se varet edhe nga Kosova për mosmarrjen e përgjegjësisë nga ana e Serbisë.
Sipas tij, rendi ndërkombëtar duhet ta shtojë presionin ndaj Serbisë. “Serbia, deri më tani, nuk ka marrë asnjëherë përgjegjësi. Kjo varet edhe nga Kosova. Pa një padi për krime lufte dhe pa një trysni të madhe ndërkombëtare, Serbia nuk do ta pranojë gjenocidin, sepse një gjë e tillë do ta obligonte të paguante reparacione dhe dëme, si dhe të bënte kompensimin e viktimave.
Për këtë arsye, rendi ndërkombëtar duhet ta shtojë presionin ndaj Serbisë. Para pesë vjetësh ka qenë më e lehtë që Serbia t’i nënshtrohej presionit sesa tani. Sot nuk ka më gjasa të mëdha, pasi bota po përballet me konflikte të reja dhe vëmendja është te shuarja e vatrave të luftës në Lindje dhe te lufta Rusi-Ukrainë”, shton juristi. Ai kërkon që Kosova të hartojë padi.
Sipas tij, për shkak se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës nuk mund ta bëjë këtë vetë dhe për këtë duhet ta bëjë një shtet tjetër. “Kosova mund të argumentojë sa të dojë, por pa hartuar një padi, nuk ka shumë për të bërë. Pra, duhet të ndërtohet një padi. Fakte ka të shumta dhe janë mbledhur shumë materiale që dokumentojnë krimet serbe në Kosovë.
Vetëm duhet të ndërmerret hapi për ushtrimin e padisë. Duke qenë se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, nuk mund ta bëjë këtë vetë, ose mund ta bëjë një shtet tjetër anëtar. Shqipëria, për shembull, mund ta ndërmarrë një nismë të tillë”, përfundon Burjani.
