Një 28-vjeçar, i cili ishte në kërkim policor prej muajsh nën dyshimin për sulm seksual, është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është G.R, rreth 28-vjeçar, i cili kërkohej lidhur me një rast të raportuar më 12 prill të këtij viti në Fushë Kosovë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti dyshohet se kishte ndodhur rreth orës , në një pompë derivatesh në Rrugën e Pejës. Viktima, një 23-vjeçare, identitetin e së cilës Sinjali nuk do ta publikojë, kishte raportuar rastin në Polici, ndërsa në kuadër të veprimeve fillestare hetimore ishin intervistuar ajo dhe dy dëshmitarë.
Sipas dyshimeve të ngritura në rast, Rushiti fillimisht dyshohet se i kishte dhënë viktimës 50 deri në 60 euro para të gatshme, ndërsa më pas pretendohet se kishte filluar ta ngacmonte seksualisht. Në kohën kur Policia kishte nisur trajtimin e rastit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk ishte siguruar prania e tij për procedurat e mëtejshme.
Për këtë arsye, ai ishte futur në kërkim policor. Kërkimi ka marrë fund më 21 gusht. Sipas burimeve të Sinjalit, G.R është identifikuar dhe ndaluar nga autoritetet në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdarë. 28-vjeçari është shoqëruar më pas për intervistim lidhur me dyshimet që rëndojnë mbi të.
Pas përfundimit të intervistimit është konsultuar Prokurori kujdestar, i cili ka marrë vendim që Rushiti të ndalohet për 48 orë. Ai është dërguar në Qendrën e Ndalimit, ndërsa procedurat hetimore për rastin vazhdojnë. Rushiti dyshohet për veprën penale “Sulmi seksual”, ndërsa pretendimet ndaj tij mbeten për t’u vërtetuar në procedurën penale dhe ai gëzon prezumimin e pafajësisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
