Nga e hëna, miliona përdorues të ChatGPT-së në Evropë do të nisin të shohin reklama brenda bisedave me chatbot-in, pasi OpenAI po zgjeron programin e saj të reklamave në tregun më të madh deri më tani. OpenAI ka njoftuar se nga 24 gushti , reklamat në ChatGPT do të shtrihen në 31 vende evropiane , duke e çuar numrin total të tregjeve ku funksionon programi në 40 .
Programi u testua fillimisht në SHBA në shkurt, ndërsa më pas u zgjerua në Kanada, Australi, Zelandë të Re, Mbretërinë e Bashkuar, Meksikë, Brazil, Japoni dhe Korenë e Jugut. Reklamat do t’u shfaqen vetëm përdoruesve të planeve Free dhe Go , ndërsa abonentët e Plus, Pro dhe Enterprise nuk do të shohin reklama.
OpenAI thotë se bisedat e përdoruesve mbeten private dhe se të dhënat e klientëve nuk u shiten reklamuesve. Sipas kompanisë, reklamat do të jenë të etiketuara qartë dhe të ndara nga përgjigjet e ChatGPT-së, ndërsa reklamimi nuk do të ndikojë në përgjigjet që jep inteligjenca artificiale. Megjithatë, programi ka nxitur debate që prej prezantimit të tij.
Kritikat janë përqendruar te mundësia që reklamat e personalizuara të shfaqen gjatë bisedave të ndjeshme, përfshirë tema që lidhen me shëndetin, shëndetin mendor apo politikën.
Një tjetër shqetësim lidhet me Akti për Inteligjencën Artificiale të BE-së (AI Act) , i cili ndalon sistemet që përdorin teknika manipuluese ose që shfrytëzojnë dobësitë e njerëzve në mënyra që mund të shkaktojnë dëm të konsiderueshëm.
Studiues dhe organizata për mbrojtjen e konsumatorëve paralajmërojnë se reklamat brenda një bisede të personalizuar mund të jenë më të vështira për t’u perceptuar si përpjekje për bindje, krahasuar me një reklamë tradicionale apo rezultat të sponsorizuar në internet. Ndërkohë, një tjetër çështje rregullatore po shqyrtohet nga Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian po vlerëson nëse funksioni i kërkimit i ChatGPT-së duhet të klasifikohet si një motor shumë i madh i kërkimit online , status që mund të aktivizohet nëse shërbimi kalon 45 milionë përdorues mujorë në BE .
Një klasifikim i tillë do t’i sillte OpenAI-së detyrime më të rënda, përfshirë vlerësime vjetore të rrezikut, auditime të pavarura, një regjistër publik të reklamave dhe mbikëqyrje më të afërt nga rregullatorët. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
