Aktori i njohur dhe sipërmarrësi Mark Wahlberg është ndalur për disa minuta nga Peter Ivey, autori i llogarisë së madhe në rrjetet sociale “School of Hard Knocks”, i cili njihet për pyetjen që ua parashtron njerëzve të suksesshëm: “Si jeni bërë të pasur?”.
Ylli i filmave “The Departed”, “Shooter” dhe “TED” ka treguar se, përmes fitimeve nga aktrimi, po zhvillon paralelisht gjashtë biznese të tij. Teksa ka folur për ngritjen e tij graduale në biznes, Wahlberg ka vënë në peshore suksesin material përballë atij familjar.
Sipas tij, përkufizimi i vërtetë i arritjes nuk matet nga bilancet bankare apo sukseset profesionale, por nga përkushtimi ndaj njerëzve më të afërt. “Çfarë rëndësie ka nëse jeni sipërmarrësi më i suksesshëm në botë, nëse dështoni si bashkëshort apo si baba?”, ka thënë ai.
Aktori ka thënë se disiplina, puna e palodhshme dhe përkushtimi që kërkohen për të ndërtuar një biznes të suksesshëm duhet të zbatohen me të njëjtën forcë, ose edhe më shumë, brenda mureve të shtëpisë.
Për sipërmarrësin e njohur, balanca mes karrierës dhe familjes është sfida më e madhe e çdo njeriu, ndërsa ruajtja e marrëdhënies me bashkëshorten dhe edukimi i fëmijëve mbeten “projekti” më i rëndësishëm i jetës, dështimi në të cilin nuk mund të kompensohet nga asnjë sukses në biznes.
Ndër të tjera, aktori ka thënë se beson shumë në Zot dhe se ka shumë shokë që kanë fe të ndryshme, por ajo që ka vërtet rëndësi, sipas tij, është dashuria ndërmjet njerëzve. “Ka shumë njerëz që kanë shumë pasuri, por nuk kanë lumturi, nuk kanë gëzim e nuk kanë besim”, ka thënë ai. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
