Arsenali ka hapur negociatat me Galatasarayn për transferimin e sulmuesit nigerian Victor Osimhen, por marrëveshja pritet të jetë e ndërlikuar për shkak të kërkesave financiare të lojtarit.
Sipas “Foot Mercato”, kampionët e Premier League po kërkojnë një tjetër golashënues të nivelit të lartë, i cili do të konkurronte me Viktor Gyökeres dhe do t’i jepte Mikel Artetës më shumë alternativa në repartin ofensiv. “Topçinjtë” e nisin sot mbrojtjen e titullit ndaj Coventry Cityt, skuadrës së sapongjitur në elitën angleze.
Osimhen realizoi 30 kontribute direkte në gola për Galatasarayn sezonin e kaluar, paraqitje që e kanë bërë atë një nga objektivat e preferuar të Artetës. Megjithatë, një ofertë zyrtare për klubin turk nuk pritet menjëherë, pasi palët vazhdojnë të kenë dallime të konsiderueshme sa i përket kushteve personale të kontratës.
Osimhen përfiton rreth 20 milionë euro neto në sezon te Galatasaray dhe ka kontratë me klubin turk deri në vitin 2029. Arsenali nuk është i gatshëm t’i ofrojë të njëjtin nivel page. Sipas raportimit, klubi londinez do të vazhdojë negociatat vetëm nëse 27-vjeçari pranon të reduktojë kërkesat e tij financiare.
Kjo e bën pagën pengesën kryesore për momentin, edhe pse interesimi i Arsenalit mbetet serioz. Nëse Osimhen pranon një ulje page, negociatat mund të avancojnë shpejt. Në të kundërt, “Topçinjtë” mund të detyrohen të shqyrtojnë alternativa të tjera për sulmin.
