Legjenda e atletikës, Usain Bolt, do t’i rikthehet futbollit, por këtë herë në një nivel krejt tjetër. Sipas BBC Sport, tetë herë kampioni olimpik është regjistruar zyrtarisht si lojtar i Wythenshawe Vets FC, skuadër që garon në ligat e së dielës në Manchester. Klubi është i njohur për angazhimin e ish-futbollistëve profesionistë.
Në të kaluarën, për këtë ekip kanë luajtur emra si Papiss Cisse, Antonio Valencia dhe Danny Drinkwater. Tashmë, listës së yjeve i është bashkuar edhe Bolt, i cili gjatë karrierës së tij ka shprehur vazhdimisht pasionin për futbollin dhe ka marrë pjesë në ndeshje miqësore, si dhe është stërvitur me skuadra profesioniste.
Mbetet të shihet nëse sprinteri më i shpejtë në histori do ta shfaqë shpejtësinë e tij edhe në futbollin amator të Manchesterit.
