Që nga dje, Ditmir Hoxha është futbollist i ri i skuadrës angleze Leeds, një transferim ëndrrash për sulmuesin e ri dhe shtatlartë nga Struga, i cili luan për Maqedoninë e Veriut U-19.
Talenti i madh, vetëm 10 ditë pas ditëlindjes së tij të 18-të, falë agjentëve të tij Alban Sulejmani dhe Deni Bara, nënshkroi kontratë katërvjeçare me skuadrën ku në të kaluarën me sukses ka luajtur edhe shqiptari ynë Ezgjian Alioski. Sezonin e kaluar Hoxha e kaloi te Rabotniçki, klub ku nuk e mori mundësinë e duhur, por megjithatë, në ndeshjet ku luajti, ai e dëshmoi cilësinë e tij.
Kështu, në 19 paraqitje (vetëm rreth 550 minuta), ai shënoi 4 gola dhe 2 asistime (kampionat dhe Kupë), në moshën vetëm 17-vjeçare. “Do të fillojë me ekipin e të rinjve të Leeds-it, sepse ekipi i parë tashmë ka nisur paraqitjet në Premier League.
Jemi të vetëdijshëm se Hoxhës do t’i duhet pak kohë për t’u përshtatur me jetën dhe procesin e ri stërvitor, por të gjithë besojmë fuqishëm se ai shumë shpejt do t’i bashkohet ekipit të parë”, na deklaroi Alban Sulejmani, menaxheri i futbollistit të lindur në Strugë.
