Një person ka humbur jetën pas një sulmi me shpatë në një shkollë të mesme në Fagersta të Suedisë, ku një 18-vjeçar i armatosur me shpatë dhe me helmetë ka sulmuar disa persona. Policia është thirrur në shkollën e mesme Brinell rreth orës të së premtes, pas raportimit për një sulm me pasoja të rënda.
Fillimisht, autoritetet njoftuan se dy djem adoleshentë kishin pësuar lëndime të rënda, ndërsa një person i tretë ishte dërguar në spital. Më vonë u konfirmua se një person kishte vdekur, raporton skynews – transmeton Sinjali. I dyshuari, i cili është qëlluar nga policia, është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka më rrezik për qytetarët.
Një zëdhënës i policisë tha se në vendngjarje janë dërguar të gjitha njësitë në dispozicion pas alarmit për “dhunë vdekjeprurëse”. Sipas transmetuesit publik SVT, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, personi i arrestuar dyshohet se është ish-nxënës i kësaj shkolle dhe kishte një dënim të mëparshëm për sulm.
Një nxënës i shkollës tha se kishte parë një prej viktimave me plagë në krah, ndërsa pas sulmit nxënësit kishin thirrur policinë dhe ishin larguar nga vendi nga frika. Pas sulmit, disa shkolla dhe ndërtesa publike në Fagersta u vendosën në izolim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
