Kaos me librat shkollorë: MASHT-i thotë “mos i blini”, tekstet dalin

0%

Prindërit tashmë kanë nisur të blejnë tekstet shkollore, pavarësisht se Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje të presin publikimin e katalogut përfundimtar dhe çmimeve. Sinjali ka kontaktuar librarinë “Dukagjini”, nga ku kanë konfirmuar se shitja e teksteve mësimore do të nisë më 24 gusht.

Ndërkohë, shtëpia botuese “Albas” në Prishtinë ka konfirmuar për Sinjalin se furnizimi i librarive me tekste mësimore për klasat 1–9 tashmë ka nisur.

“Duke ndjekur praktikën dhe logjikën e punës së viteve të kaluara, ne kemi filluar furnizimin e librarive me tekste mësimore për klasat 1–9, procesi i furnizimit ka nisur më herët dhe është duke vazhduar, në mënyrë që libraritë të pajisen me tekstet përkatëse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sa i përket interesimit të prindërve, këtë e dinë më së miri vetë libraritë, të cilat janë pikat ku realizohet shitja e teksteve te prindërit. Megjithatë, bazuar në informacionet që kemi, edhe gjatë këtyre ditëve ka pasur interesim për blerjen e teksteve mësimore.

Natyrisht, kërkesa pritet të rritet me fillimin e shpërndarjes së mjeteve për blerjen e teksteve dhe me afrimin e fillimit të vitit të ri shkollor.”. Sa i përket katalogut, shtëpia botuese ka bërë të ditur se ai tashmë u është shpërndarë librarive.

“Katalogun e teksteve mësimore ua kemi shpërndarë librarive, ndërsa secili libër e ka të shënuar çmimin përkatës në pjesën e pasme.”, thanë ata për Sinjalin.

Nga ana tjetër, MASH mbrëmë u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore, pasi procesi i negocimit të çmimeve me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar.

MASH ka bërë të ditur se katalogu përfundimtar i teksteve mësimore, së bashku me çmimet përkatëse, ende nuk është publikuar në faqen zyrtare të ministrisë.

“Pas përfundimit të procesit të negocimit me shtëpitë botuese, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojë katalogun përfundimtar me çmimet e teksteve mësimore dhe do të përcaktojë shumën përkatëse për blerjen e librave për secilin nxënës.

Andaj u bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore. Njëkohësisht, Ministria u bën thirrje librarive dhe shitësve të teksteve mësimore që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga Ministria”, ka njoftuar Ministria e Arsimit.

Thirrja e ministrisë ka nxitur edhe reagime në rrjetet sociale, veçanërisht nga prindër që tashmë kanë nisur të sigurojnë tekstet për vitin e ri shkollor. “E kush është fajtor që librat kanë filluar të shiten, unë që i kam blerë apo shteti që rri në gjumë?”, ka shkruar një prind në postimin e Gazetës Sinjali në Facebook.

Kujtojmë se ekzekutimi i mjeteve për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore ende nuk është bërë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com