Qindra ushtarë ukrainas që po marrin pjesë në trajnime në Gjermani, janë duke dezertuar. Një gjë të tillë e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes e shtetit që është pjesë e BE-së.
“Ministria Federale e Mbrojtjes është në dijeni se, në raste të izoluara, pjesëtarë të forcave të armatosura ukrainase janë larguar gjatë trajnimit në Gjermani”, ka thënë një zëdhënëse e Komandës Speciale të Trajnimit të ushtrisë gjermane në Strausberg, afër Berlinit, transmeton dpa, përcjellë KosovaPress.
Sipas saj, Bundeswehr-i (Forcat e Armatosura të Gjermanisë) nuk ka rol në identifikimin e atyre që dezertojnë. Ajo i ka cilësuar këto si “çështje të brendshme të forcave të armatosura ukrainase”, duke i drejtuar pyetjet për këtë çështje tek autoritetet përkatëse në Kiev Konfirmimi vjen pas një raportimi të gazetës javore gjermane “Die Zeit”, sipas së cilës disa qindra ushtarë ukrainas, të cilët ndodheshin në Gjermani për trajnim, kanë dezertuar.
Sipas Bundeswehr-it, deri në fillim të vitit 2026, 22 shtete pjesëmarrëse kishin trajnuar rreth 87 mijë ushtarë ukrainas në kuadër të një misioni të Bashkimit Evropian. Gjermania, si një nga kontribuuesit kryesorë në këtë mision, deri më tani ka trajnuar rreth 29 mijë pjesëtarë të forcave militare të shtetit që është në luftë me Rusinë, nga viti 2022.
Trajnimet, siç raporton dpa, kanë përfshirë udhëheqjen ushtarake, luftimin, përdorimin e armëve, mirëmbajtjen dhe riparimin, logjistikën, shërbimet mjekësore, mbrojtjen nga minat, si dhe mbrojtjen bërthamore, biologjike dhe kimike.
