Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, për mungesë transparence dhe angazhimi në sigurimin e teksteve shkollore, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Përmes një reagimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se më 21 gusht kanë mbetur vetëm 10 ditë deri në fillimin e mësimit, ndërsa prindërit në Kosovë ende përballen me pasiguri rreth sigurimit të librave për fëmijët e tyre.
Ajo ka ngritur pikëpyetje edhe për aktivitetin publik të ministrit Çeku, duke pretenduar se nga marrja e detyrës më 18 shkurt, në profilin e tij zyrtar në Facebook janë publikuar vetëm tri postime që lidhen me dikasterin e Arsimit, më 21, 22 dhe 23 maj. “Po ku është deputeti që luan rolin e Ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku?”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, përveç një urimi formal për 7 Marsin, në profilin e ministrit nuk janë publikuar njoftime të mjaftueshme për punën e Ministrisë, vizitat në shkolla, takimet me mësimdhënës apo sqarimet për problemet me tekstet shkollore.
“Çfarë dështimi”, Bajrami kritikon Qeverinë për tekstet: Prindërit ende pa para e pa libra Haxhiu ka kritikuar veçanërisht vonesën e aplikimit për subvencionimin e librave, i cili, sipas saj, është hapur më 27 korrik.
“Kur të gjitha shtetet e rajonit i ndajnë librat që në qershor, ministri ynë ‘i tri postimeve’ kujtohet në fund të verës, duke e futur tërë sistemin në kolaps”, ka deklaruar deputetja e Aleancës. Ajo e ka cilësuar situatën si “injorancë dhe tallje të hapur me dinjitetin e prindërve dhe nxënësve”, duke kërkuar përgjegjësi nga ministri i Arsimit.
“A paguhet një ministër i Republikës për 6 muaj rresht që të ketë shenja jete vetëm 72 orë brenda gjithë kësaj periudhe?”, ka shkruar Haxhiu. Në fund, deputetja e Aleancës ka akuzuar pushtetin për, siç është shprehur ajo, “përfitime maksimale për vete dhe heshtje totale për qytetarët”.
