Kot protestojmë e harxhojmë llafe, s’ia ndien fare Ramës. S’e di pse protestojmë me muaj, mbytemi kundër Ramës, por palla s’ia ndien Edi Ramës se a pajtohemi ne me politikëbërjen e tij apo jo. Edi Ramë Adidaska, me mijëra protestues, kritikues e opinionistë, qesh e luan majtap sesi gërvallen e krekosen zbrazur.
Edi Ramë Adidaska e di dhe është i sigurt se Shqipëria nuk do të bëhet si duan protestuesit e pakënaqur, por si do Edi Rama dhe PS-ja e tij. A bën më mirë të heshtim? U holluam, u thamë, u mpakëm, u plakëm, u thinjëm e na ranë dhëmbët duke e kritikuar, sharë e ofenduar Edi Ramën, kurse ai u kënaq me pushtetin. Ne, pa dhëmbë, rrimë me gishtin në gojë, ai kënaqet me qeverisjen.
Duam s’duam ta pranojmë, ama kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, çon politikë të “mençur” e jo ofenduese ndaj presidentit të Serbisë, Vuçiq.
Sa i dashur (e lubazan) është me Ballkanin e Hapur të Vuçiqit të Serbisë, kurse sa armiqësor ndaj Kosovës së Albin Kurtit, ai s’përdor shprehje politike ofenduese, nacionaliste e shoviniste ndaj Serbisë, por me “Ballkanin e Hapur” dhe “Konsullatën serbe” në Shkodër, jo që provokon shqiptarët, por edhe ua vjedh lehtësisht votat qytetarëve në Shqipëri.
Protestuesit nuk e kanë lehtë t’i mohojnë tre mandatet qeverisëse të Ramës; protestojnë kundër personit për të cilin radhazi votojnë. Vota e qytetarëve në Shqipëri, Edi Ramë Adidaskën, e ka bërë karasevdali, inatçor, kryeneq e arrogant ndaj shqiptarëve. Sidomos arroganca e tij vërehet ndaj Kosovës së Albin Kurtit.
