Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut po zhvillon një fushatë informuese dhe vetëdijësuese me qëllim parandalimin e zhurmës së panevojshme dhe respektimin e qetësisë publike.
Në kuadër të aktiviteteve parandaluese, qytetarët dhe subjektet afariste po informohen për rëndësinë e respektimit të orareve të përcaktuara, veçanërisht lidhur me përdorimin e pajisjeve që prodhojnë zhurmë gjatë orëve të natës. Policia ka bërë të ditur se shkelja e dispozitave që rregullojnë rendin dhe qetësinë publike mund të sjellë edhe pasoja ligjore.
Përmes kësaj fushate, Policia u ka bërë apel qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë përgjegjësi dhe mirëkuptim, duke respektuar të drejtën e secilit për qetësi dhe pushim. Autoritetet kanë theksuar se aktivitetet vetëdijësuese synojnë që, përmes informimit dhe bashkëpunimit me qytetarët, të kontribuohet në krijimin e një mjedisi më të qetë dhe të sigurt për të gjithë.
