Turqia ka kërkuar arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, mes 35 personave që i akuzon për rastin e ndalimit të flotiljes që do të çonte ndihma në Gaza.
Ankaraja i është drejtuar Interpolit, duke kërkuar lëshimin e Red Alert për kapjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Afek Moskovitch, në lidhje me sulmin ndaj aktivistëve të Flotiljes Global Sumud në ujërat ndërkombëtare, tha Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek.
“Procesi gjyqësor në lidhje me sulmin e kryer kundër aktivistëve të Flotiljes Globale të Lirisë, e cila u nis për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza, vazhdon me vendosmëri…
Në kuadër të dosjes, në përputhje me urdhër-arrestet e lëshuara më për Binyamin Netanyahun dhe Afek Moskovitchin me akuzën e ‘Gjenocidit’, është bërë një kërkesë në Ministrinë tonë të Brendshme për lëshimin e një njoftimi të kuq në nivel ndërkombëtar për kërkimin e tyre, dhe dokumentet përkatëse janë dërguar në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme”.
Gurlek tha se urdhër-arrestet për Netanyahu-n dhe Moskovitchi-n u lëshuan me akuzën për gjenocid. “Ne e hedhim poshtë kategorikisht idenë se administrata Netanyahu, e cila po zbaton një politikë gjenocidi në Gaza, është e paprekshme dhe e papërgjegjshme. Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen ose autorët të mbrohen nga pandëshkueshmëria.
Ne do të shfrytëzojmë me vendosmëri të gjitha mundësitë e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar.” Akuzat përfshijnë krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të rëndë nga liria, lëndim të qëllimshëm, torturë, dëmtim të pronës, grabitje të rëndë dhe rrëmbim të automjeteve të transportit, në lidhje me ndërhyrjen e armatosur kundër civilëve që shpërndanin ndihmë humanitare në Gaza në ujërat ndërkombëtare dhe ndalimin e aktivistëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
