Arsenali ka zyrtarizuar transferimin e Ezri Konsas nga Aston Villa, duke përforcuar mbrojtjen përpara sezonit të ri. Sipas burimeve të ESPN , klubet kanë arritur marrëveshje për një shumë rreth 59 milionë euro, ndërsa në marrëveshje janë përfshirë edhe bonuse me vlerë deri në 5 milionë euro. Aston Villa kishte refuzuar më herët një ofertë prej rreth 35 milionë eurosh për mbrojtësin anglez.
Konsa mbërrin në Londrën e Veriut për t’i dhënë më shumë alternativa trajnerit Mikel Arteta, teksa Arsenali synon të mbrojë titullin e Premierligës dhe të shkojë një hap më tej në Ligën e Kampionëve, pasi sezonin e kaluar u mposht nga Paris Saint-Germain në finale. Megjithatë, mbrojtësi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen hapëse të Ligës Premier ndaj Coventryt të premten.
Debutimi i tij mund të vijë pikërisht kundër ish-klubit të tij, Aston Villas, të hënën e ardhshme. Built for the battle.
Konsa is a Gunner ✍️ pic.twitter.com/osUk47982u — Arsenal (@Arsenal) August 21, 2026 “Është një moment krenarie për mua dhe familjen time të luaj për një nga ekipet më të mira në botë”, deklaroi Konsa për mediat e klubit. 28-vjeçari është i aftë të luajë si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i djathtë, duke i ofruar Artetës një alternativë të rëndësishme në prapavijë.
Arsenali ka probleme me dëmtimet, pasi Ëilliam Saliba dhe Jurriën Timber pritet të mungojnë në fillim të sezonit. Konsa ishte gjithashtu pjesë e rëndësishme e Anglisë në Kupën e Botës, ku kombëtarja e drejtuar nga Thomas Tuchel arriti deri në gjysmëfinale dhe përfundoi në vendin e tretë. Për Aston Villan, largimi i Konsas është një tjetër goditje e rëndësishme.
Klubi ka humbur më herët edhe Morgan Rogers, i cili u transferua te Chelsea, dhe Youri Tielemans, që iu bashkua Manchester Unitedit./ Telegrafi
