Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ngritur shqetësime lidhur me nivelin e financimit për arsimin dhe shëndetësinë në vitin 2027, duke vlerësuar se ulja e granteve specifike mund të krijojë presion shtesë mbi buxhetet komunale.
Duke iu referuar tabelave buxhetore, AKK-ja thotë se Granti për Arsim është planifikuar të jetë 8.8 milionë euro më i ulët se në vitin 2026, ndërsa Granti për Shëndetësi rreth 1.9 milionë euro më i ulët. Sipas përllogaritjeve të Asociacionit, vetëm në fushën e arsimit hendeku i financimit mund të arrijë në rreth 32.8 milionë euro.
Në anën tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se buxheti i përgjithshëm për komunat në vitin 2027 do të arrijë në 907 milionë euro.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se sipas krahasimeve të bëra nga AKK-ja me dokumentet buxhetore, Granti për Arsim për vitin e ardhshëm do të jetë 8.8 milionë euro më i ulët.
“Mungesa e 24 milionë eurove për këtë vit, për mësimdhënës apo punëtorë arsimor që janë mbi tre mijë, është marrë nga Buxheti i Republikës së Kosovës për këtë vit, përkatësisht nga granti specifik për arsim, ku aty shihet që rreth 24 milionë euro janë mungesë për kompensimin e pagave të mbi tre mijë punëtorëve arsimor, ku normal që komunat do të pësojnë mbi 24 milionë euro, sepse granti specifik për arsim është shkurtuar për këtë vit.
E njëjta gjë në bazë të qarkores buxhetore, e cila i shpërndahet komunave gjithmonë në bazë të dokumenteve dhe në bazë krahasimeve që i kemi bërë me Ligjin e Buxhetit për këtë vit, del që në vitin e ardhshëm, në raport me këtë vit komunat për grante për arsim do të kenë minus 8.8 milionë euro”, tha Ibrahimi për Telegrafin.
Sipas tij, kur mungesës së vlerësuar për vitin 2026 i shtohet edhe ulja e planifikuar për vitin 2027, presioni financiar në këtë sektor mund të rritet më tej. “Tash domethënë shto minusin e 24 milionë euro të këtij viti plus 8.8 milionë në vitin e ardhshëm del që komunat në përgjithësi do të kenë rreth 32 pikë tetë milionë euro minus për fushën e arsimit parauniversitar”, potencoi ai.
Ibrahimi ka komentuar edhe deklaratat e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me rritjen e buxhetit të përgjithshëm për komunat. “Nuk është hera e parë që ministri Murati del me kësi deklarata pompoze, por duhet respektuar edhe realitetin se çka është duke ndodhur në Kosovë”, deklaron drejtori i AKK-së.
Ai ka thënë se rritja nominale e buxhetit të komunave duhet të shihet edhe në raport me inflacionin dhe fuqinë reale blerëse. “Po, do të kemi një rritje për komunat 907.94 milionë euro, mirëpo kjo është domethënë një shifër e cila jepet si e tillë nominale, mirëpo duhet marrë parasysh situatën ekonomike në Republikën e Kosovës.
Duhet marrë parasysh normën e inflacionit, në bazë të statistikave nga Agjencia Statistikore e Kosovës del që norma e inflacionit për muajin korrik ka qenë gjashtë pikë 6.5%.
Do të thotë, nëse, ne veç po e shtojmë këtë, nëse një normë e tillë e inflacionit do të jetë edhe vitin e ardhshëm, vlera si e tillë e 908 milionë euro na realitet për fuqi blerëse do të jetë rreth 852 milionë euro, që në raport me buxhetin e këtij viti do të jetë 15.1 milionë euro më pak.
Legjislacioni i cili është ndërtuar pas pavarësisë së Republikës së Kosovës, thotë që rreth 10 për qind e buxhetit total të Republikës Kosovës i shkon me automatizëm në grantin e përgjithshëm te komunat. Jo që është në vullnetin e ministrit kjo. Kjo është e rregulluar me legjislacionin në fuqi”, bëri të ditur Ibrahimi.
Sipas drejtorit të AKK-së, rritja e përgjithshme e buxhetit komunal për vitin e ardhshëm duhet të shihet edhe në raport me të hyrat vetanake të komunave dhe huamarrjen. “Paramendoni 40 milionë euro për 38 komunat, edhe del ministri Murati trumbeton se ku më ditë se çka u bë për komunat e Republikës së Kosovës.
Do të thotë rritja që mes këtij viti dhe vitit të ardhshëm është rreth 40 milionë euro, ai duhet të thotë që rreth mbi tetë milionë e gjysmë i ka parapa që komunat do t’i rrisin të hyrat vetanake”, bëri të ditur ai.
“Domethënë, këtu 10 përqindëshi i grantit të përgjithshëm, këtu është 8.68 milionë euro të hyrat vetanake të komunave që pretendon me rritë, po edhe nga huamarrja janë mbi 600 mijë euro dhe kjo na jep shifrën e 40.29 milionë euro”, shtoi mes tjerash drejtori i AKK-së.
AKK-ja kërkon që financimi për arsim dhe shëndetësi të rishikohet, ndërsa Ministria e Financave ka bërë të ditur se buxheti i përgjithshëm për komunat në vitin 2027 do të rritet. Çështja pritet të marrë formë më të qartë me avancimin e procesit buxhetor dhe përcaktimin përfundimtar të ndarjeve për komunat.
Telegrafi do ta përcjellë këtë proces dhe do të raportojë për mënyrën se si do të reflektohet buxheti i vitit 2027 në shërbimet publike nëpër komuna. / Telegrafi
