Kanë mbetur edhe 26 ditë deri në verdiktin përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ndërsa në prag të vendimit që pritet të shpallet në Hagë, zëri i Kosovës pritet të dëgjohet përmes një varg aktivitetesh.
Më 12 shtator, organizata “Liria ka emër” do të organizojë “Marshin për Liri”, ndërsa më 16 shtator, ditën kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar në Hagë, do të zhvillohen aktivitete të përbashkëta me diasporën shqiptare. Thirrja e organizatorëve është përtej ndarjeve politike.
Të gjitha subjektet politike dhe qytetarët janë ftuar t’u bashkohen aktiviteteve, me mesazhin se kujtesa, dinjiteti dhe historia e luftës së Kosovës duhet të ruhen. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, dhe Ismail Tasholli kanë ftuar të gjitha subjektet politike që të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve, të cilat nisin të shtunën.
“Në javët në vijim do të zhvillohet ‘Kosova po pret’. Kosova po pret një moment të rëndësishëm, po pret ditën kur në Hagë do të merret verdikti për themeluesit dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tash e disa vite jemi munduar që, përmes disa aktiviteteve, të jemi pranë tyre, të shprehim shqetësimin tonë dhe kërkesën tonë për një gjykim të drejtë.
Për gjashtë vjet e kemi parë që akuzat e Prokurorisë kanë qenë të paqëndrueshme dhe janë rrëzuar një nga një”, tha Hoxha para gazetarëve. Për organizatorët, këto aktivitete nuk kanë për qëllim të ndikojnë në procesin gjyqësor apo të paragjykojnë vendimin e drejtësisë.
Sipas tyre, ato synojnë të shprehin zërin e qytetarëve të Kosovës dhe të dëshmojnë se historia e luftës së Kosovës vazhdon të jetë pjesë e kujtesës kolektive.
“Por, 16 shtatori do të jetë përfundimi i kësaj sage të errët dhe ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre, jo duke paragjykuar vendimin e drejtësisë dhe jo duke ndërhyrë në procesin gjyqësor, por duke e bërë të dëgjueshëm zërin qytetar të Kosovës për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt ndaj historisë sonë të përbashkët”, tha Hoxha. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
