ZKA gjen mangësi në tenderin për mirëmbajtjen e autostradave ‘Ibrahim

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar mangësi në procesin e prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të autostradave A6 (“Arbën Xhaferi” – autostrada për Ferizaj/Shkup) dhe A7 (“Ibrahim Rugova” – autostrada për Prizren/Shqipëri), duke konstatuar probleme në planifikim, vlerësimin e ofertave dhe përdorimin e procedurave të negociuara.

ZKA publikoi raportin e auditimit të performancës “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028”. Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte arritur të siguronte që procesi i prokurimit të realizohej plotësisht.

“Aktiviteti i prokurimit me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj, ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese, prandaj afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar nga 40 në 21 ditë” – thuhet në një komunikatë për media të ZKA-së të publikuar të premten, më .

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Ky përshpejtim nuk kishte arritur rezultatin e synuar, pasi hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë dhe procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit” – thuhet tutje në njoftim.

ZKA ka analizuar edhe kontratat e negociuara, që sipas tyre, i ka bërë Ministria e Infrastrukturës për mirëmbajtjen e autostradave. “Për shkak se procedura e hapur nuk ishte përmbyllur para fillimit të sezonit dimëror, Ministria kishte përdorur procedura të negociuara për të siguruar vazhdimësinë e mirëmbajtjes së autoudhëve.

Përmes katër kontratave gjashtëmujore të negociuara, deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro. Përdorimi i këtyre procedurave kishte kufizuar konkurrencën dhe kishte ofruar më pak transparencë krahasuar me procedurën e hapur” – thuhet në njoftim.

Tutje, procesi i auditimit ka evidentuar mangësi edhe në vlerësimin e ofertave, ku Komisioni i Vlerësimit në disa raste nuk kishte kërkuar sqarimet e nevojshme lidhur me disa paqartësi teknike, formale ose metodologjike, sqarimi i të cilave nuk do ta ndryshonte përmbajtjen substanciale të ofertës.

Kjo kishte rritur rrezikun që procesi i vlerësimit të mos siguronte trajtim plotësisht të barabartë të operatorëve ekonomikë. Gjithashtu auditimi ka konstatuar se Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme për katër llotet.

“Kombinimi alternativ i identifikuar nga auditimi do të kishte rezultuar me një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15% më të ulët sesa kombinimi i kontraktuar. Si pasojë, Ministria nuk kishte arritur të siguronte kombinimin më ekonomik të ofertave dhe kishte humbur mundësinë për realizimin e më shumë shërbimeve brenda buxhetit të përcaktuar” – thuhet në komunikatën e ZKA-së.

Dallime të theksuara janë evidentuar edhe ndërmjet çmimeve të ofertuara dhe çmimeve referente të Ministrisë. Në Llotin e tretë, 77 nga 113 pozicione, apo 68% e tyre, ishin ofertuar me çmime mbi 90% më të ulëta se çmimet referente. Në disa raste, pozicione të përllogaritura nga Ministria me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi.

Gjatë auditimit, ZKA ka identifikuar rrethana që potencialisht mund të paraqisnin konflikt interesi të kryesuesit të Komisionit të Vlerësimit. “Kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur angazhim profesional të mëhershëm me operatorin ekonomik që ishte shpallur fitues në njërin prej lloteve.

Ministria nuk kishte bërë vlerësimin apo trajtimin e këtyre rrethanave dhe rasti nuk ishte referuar tek autoriteti kompetent, duke krijuar pasiguri lidhur me paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të vlerësimit” – thuhet në fund të komunikatës për media të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit dhe është zotuar se do t’i zbatojë rekomandimet e dhëna. Raportimin me të gjitha gjetjet e Auditorit mund ta gjeni duke klikuar KËTU . Përmbledhja e gjetjeve kryesore të auditimit sipas ZKA-së?

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka iniciuar aktivitetin e prokurimit me kohë, pasi procedura kishte filluar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese edhe pse kishte njohuri paraprake për kohën e skadimit të tyre. Si rezultat, afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar, duke përgjysmuar kohën në dispozicion të operatorëve ekonomikë për përgatitjen e ofertave.

Përkundër kësaj, Ministria nuk ka arritur të përfitojë nga ky përshpejtim i procedurës, pasi afati kohor për hapjen e ofertave është shtyrë pesë herë dhe procesi është stërzgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve të bëra në dosjen e tenderit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka përgatitur në mënyrë adekuate dosjen e tenderit, duke vendosur kritere që më pas janë kundërshtuar nga operatorët ekonomikë dhe janë korrigjuar para procesit të hapjes së ofertave.

Këto mangësi kanë ndikuar në vonesën e finalizimit te procedurës së hapur dhe kanë detyruar Ministrinë të sigurojë vazhdimësinë e shërbimeve përmes procedurave të negociuara, duke kufizuar konkurrencën dhe transparencën në krahasim me procedurën e hapur.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka siguruar kombinimin më ekonomik të ofertave gjatë dhënies së kontratave për llote, pasi që kanë ekzistuar alternativa të tjera që do të rezultonin me kosto më të ulët. Si pasojë, nuk është arritur niveli më i lartë i ekonomisë dhe është humbur mundësia për realizimin e më shumë shërbimeve brenda të njëjtit buxhet për llotin e caktuar.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka trajtuar si duhet çmimet dukshëm (anormal) të ulëta të ofertave, dhe nuk ka siguruar dëshmi nga operatorët ekonomikë për mënyrën e realizimit të pozicioneve me çmime të tilla, derisa në të gjitha llotet janë evidentuar dallime të konsiderueshme në raport me çmimet e përllogaritura të njësisë kërkuese.

Mungesa e sqarimeve dhe analizës së mjaftueshme ka rritur rrezikun që një numër i caktuar i pozicioneve të mos realizohen sipas kushteve të kontratës ose të krijohen vështirësi të theksuara gjatë menaxhimit dhe zbatimit të saj.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka adresuar dhe trajtuar në mënyrë të duhur rrethanat që potencialisht mund të krijojnë konflikt të interesit, duke mos trajtuar angazhimin e mëparshëm profesional të kryesuesit të Komisionit të Vlerësimit me operatorin ekonomik të shpallur fitues në njërin prej lloteve.

Mos trajtimi i këtij rreziku ka ndikuar në besueshmërinë dhe paanshmërinë e këtij procesi. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë shtatë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, të cilat synojnë përmirësimin e planifikimit dhe realizimit të procedurave të prokurimit, forcimin e kontrolleve gjatë vlerësimit të ofertave, trajtimin e ofertave me çmime të ulëta, sigurimin e dokumentimit dhe verifikimit të kërkesave teknike, si dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe menaxhimin e konfliktit të interesit.

KALLXO.com ka raportuar gjatë muajit maj të këtij viti rreth proceseve të prokurimit publik që lidhen me intervenimet në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Burimi: Kallxo