Periudha, apo Epoka më e lavdishme në historinë kombëtare shqiptare është ajo 35-vjeçare, 1878–1912. Prizreni, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, i ka dhënë këtij qyteti shqiptar, për herë të parë në histori, statusin e qendrës së shqiptarizmit, si qendër shtetërore, ushtarake, politike, administrative, diplomatike dhe strategjike për realizimin e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të vazhdojë deri në realizimin e Bashkimit Kombëtar. Historia paraqet, shënon dhe shkruan në memorien kombëtare ngjarje dhe zhvillime luftarake, politike, shkencore, civilizuese, kulturore dhe të traditave.
Por ngjarjet më të rëndësishme historike janë ato që kanë sjellë rezultatin kryesor madhor, atë të çlirimit, pavarësisë dhe të krijimit të shtetit shqiptar.
Dhe për shqiptarët kjo është epoka 35-vjeçare, 1878–1912: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, qëndresa dhe rezistenca mbinjerëzore për mbijetesë kombëtare, luftërat për pavarësi kombëtare që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike në Vlorë (1912).
Ata të cilët, djallëzisht, qofshin historianë apo intelektualë, e anashkalojnë qëllimisht këtë fakt, janë në një linjë me historiografinë serbe, greke e ruse dhe me historiografinë komuniste antishqiptare.
Janë ata që nuk kanë asnjëfarë kontributi dhe as kurrfarë ndjenje patriotizmi, përveç atij fals, siç vazhdojnë akoma të jenë në krye të Akademisë së Shkencave, njerëz hipokritë e mediokër.
