Një tentativë për vjedhje të rëndë është raportuar në një vilë në fshatin Kopiloviq të Zubin Potokut, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë dëmtuar derën e tarracës dhe kanë depërtuar brenda objektit, mëson Sinjali. Rasti është denoncuar në Polici më 20 gusht, rreth orës , nga pronarja e vilës, M. R. 39-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, vila ndodhet në zonën e njohur si “Podovi”, në fshatin Kopiloviq. Nga të dhënat fillestare rezulton se autorët e panjohur kanë dëmtuar derën e tarracës, duke arritur që përmes saj të futen brenda vilës. Megjithatë, pas kontrollit të pronës, pronarja ka deklaruar se nuk rezulton të jetë vjedhur asgjë.
Koha e saktë kur është thyer vila ende nuk është përcaktuar. Sipas informacioneve të rastit, ngjarja dyshohet se mund të ketë ndodhur në periudhën ndërmjet 13 korrikut dhe 19 gushtit, ndërsa është raportuar vetëm një ditë më vonë.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse policore, të cilat kanë kryer ekzaminimin e lokacionit dhe kanë nisur mbledhjen e provave që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Njësia e Hetimeve ka konsultuar Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Vjedhje e rëndë në tentativë”.
Deri më tani nuk ka persona të identifikuar apo të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
