Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën mbi fshatin Dukat, ndërsa dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar qëllimisht. Zjarri është shfaqur rreth orës të mbrëmjes së djeshme, fillimisht në katër vatra. Gjatë natës, flakët janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme në drejtim të malit të Çikës.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në terren që prej orës të mëngjesit, ndërsa në operacion janë angazhuar edhe rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura, nën drejtimin e strukturave të Emergjencave Civile. Nga distanca, përmasat e zjarrit paraqiten të mëdha, me flakët që vijojnë të përhapen në terrenin malor.
Forcat në terren po punojnë për izolimin e vatrave, por terreni i vështirë po e bën ndërhyrjen më të komplikuar dhe operacioni pritet të zgjasë për disa orë. Për shkak të qëndrimit të gjatë në terren, zjarrfikësit dhe efektivët e angazhuar në operacion duhet të furnizohen me ujë dhe ushqime. Aktualisht, era nuk është e fortë, çka nuk favorizon përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar, pasi një forcim i erës do të mund të rrezikonte përparimin e zjarrit në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë. Forcat zjarrfikëse dhe ushtria vijojnë ndërhyrjen në terren, me qëllim izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në zona të tjera.
