Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë shprehur pikëllimin për humbjen e jetëve të punëtorëve të korporatës, ndërsa kanë paralajmëruar masa konkrete për forcimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të KEK-ut, në një takim të jashtëzakonshëm, bordi është informuar nga Menaxhmenti për rrethanat e përgjithshme të ngjarjes, ndërsa hetimet në vendin e ngjarjes po vazhdojnë nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës.
KEK ka bërë të ditur se do të formojë një Task Forcë për Sigurinë Industriale dhe Shëndetin në Punë, ku do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës. Kjo Task Forcë do të ketë për detyrë të rishikojë protokollet, procedurat, standardet dhe mekanizmat ekzistues të sigurisë në punë, me qëllim identifikimin e mangësive dhe ndërmarrjen e masave për përmirësimin e tyre.
Po ashtu, KEK ka njoftuar se vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës është kontraktuar gjatë këtij viti dhe aktualisht ndodhet në fazën e implementimit. Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut kanë theksuar se siguria dhe shëndeti i punëtorëve do të mbeten prioritet absolut i korporatës.
“Asnjë objektiv operacional apo i prodhimit nuk mund të jetë mbi sigurinë dhe jetën e punëtorëve”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
